Një 26-vjeçar shqiptar është kreu i një bande të rrezikshme, pasi akuzohet për një sërë vjedhjesh, disa plaçkitje madje edhe një rrëmbimi.
Flori Sejdini, banor i Montecatini, i vënë në pranga disa muaj më parë është cilësuar nga hetuesit italianë, si një nga personat kyç të disa grabitjeve të kryera në vitin 2016 në disa zona në Altopascio dhe Ponte Buggianese, Itali.
Mediat italiane kanë bërë të ditur se shqiptari akuzohet për 9 grabitje të banesave, por edhe për një rrëmbim. Ky i fundit, ka ndodhur më 26 Mars, ku shqiptari së bashku me 3 persona të tjerë kanë hyrë në shtëpinë e një të moshuari dhe e kanë mbajtur duke e kërcënuar të ulur pranë derës sa ata të plaçkisnin shtëpinë. Grabitësit morën pesë mijë euro, si dhe të gjitha bizhuteritë që i përkisnin gruas së të moshuarit, e cila ka ndërruar jetë.
I moshuari arriti të largohej nga banesa dhe shkoi tek komshinjtë në mënyrë që ata të njoftonin policinë. Dhe pas hetimeve të kryera rezultoi që “koka” e plaçkitjes ishte shqiptari 26-vjeçar.
Pesë ditë më vonë banda kreu një tjetër grabitje, ata sulmuan një çift punëtorësh që sapo ishin kthyer pas pune në shtëpinë e tyre në Capannorese. Ndonëse burri arriti të identifikonte makinën tip Renault, policia u vu në ndjekje të automjetit, por ata arritën të largoheshin.