Beqaj shpërthen ndaj gjyqtares: Edhe me vdekje të më dënoni s’e njollosni dot emrin tim as të qeverisë Rama!

0
137
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua seanca për dosjen e “Sterilizimit” me të pandehur ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, ish zv. ministrit Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj.

Trupa gjykuese mori vendimin se të pandehurit Ilir Beqaj, Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj do të përballen në gjyq me akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “grup i strukturuar kriminal”.

Gjatë seancës Beqaj kërkoi të gjykohet me procedurën e gjykimit të zakonshëm, pasi kërkon që të provojë pafajësinë e tij. Ndërsa, dy të pandehurit e tjerë Rrjepaj dhe Rrapaj i kanë qëndruar gjykimit të shkurtuar.

“Akuza është tendencioze, nuk bie pre e presionit të gjykimit të shkurtuar për të mos hapur provat 1 më 1”, është shprehur Ilir Beqaj në seancë, teksa më tej ka theksuar se askush nuk e njollos emrin e tij dhe të qeverisë Rama.

Gjithashtu, ish-minstri Beqaj kishte paraqitur më herët kërkesën për përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi me predentimin se kjo e fundit nuk pranoi të japë një vendim të arsyetuar mbi rëndimin e akuzës për Ilir Beqajn, kërkesë e cila u refuzua nga gjykata.

Akuza ndaj Ilir Beqaj u ndryshua së fundmi me kërkesë të GJKKO nga “Shpërdorim detyre” në “Vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal”, vendim i dhënë nga gjyqtarja Flojera Davidhi.

Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, së bashku me ish-zëvendësin e tij Klodian Rjepaj dhe 6 personave të tjerë, akuzohen nga SPAK për koncensionin e “Sterilizimit”. Ish ministri Beqaj akuzohet se ka miratuar kontratën koncensionare të sterilizimit në kundërshtim me ligjin.

Deklarata e Beqajt brenda seancës

Së pari, ju si gjyqtare e seancës paraprake e keni dëmtuar procesin e rregullt ligjor dhe të drejtat e mia procedurale në mënyrë të qëllimshme dhe të parekuperueshme. Unë dhe avokati im e kemi të pamundur që të mbrohemi efektivisht në mungesë të qëllimshme dhe të ripërsëritur të një vendimi të ndërmjetëm të arsyetuar për akuza të reja të bazuara në fakte të reja të pambështetura në asnjë provë. Ftesa juaj për t’u mbrojtur ndaj këtyre akuzave është fiktive dhe ka për qëllim që të mashtrojë procesin e rregullt ligjor a thua sikur ne na janë respektuar të drejtat tona procedurale dhe ne kemi qenë të qartë për akuzën. Por kjo nuk është e vërtetë. Ne nuk jemi të informuar qëllimisht nga ana juaj dhe madje as organi i akuzës nuk e ka kuptuar qartë vendimmarrjen tuaj. Jo vetëm unë, por as z. Klodian Rjepaj dhe z. Ilir Rrapaj, nuk mund të mbrohemi për akuza të pasqaruara, të pashkruara dhe që nuk do të shkruhen ndonjëherë, por do të thuhen edhe në themel me gojë, të pambështetura në ndonjë fakt në akuzë dhe të pambështetura në ndonjë provë konkrete.

Së dyti, ju keni qenë e ndikuar në këtë proces dhe vendimmarrja juaj e vërteton këtë. Ndikimi është dukshëm politik, konformist, personal dhe shoqëror. Vendimmarrjen tuaj e ka duartrokitur si z. Sali Berisha ashtu dhe znj. Albana Vokshi, sepse ju keni mbështetur akuzat e tyre politike. Ndërkohë, vendimmarrja juaj i shkon për shtat edhe vendimmarrjes së mëparshme të paligjshme të Gjyqtarit Erion Bani, paçka se çdo gjë tani është parashkruar. Ç’rëndësi ka nëse unë kam vjedhur apo jo. Në të vërtetë e rëndësishme është që PD të ketë tani gojë të pretendojë që unë jam hajdut sepse deri më tani dhe shpërdorimi i detyrës nuk arrinte të mbante dot veten në këmbë.

Së treti, ju nuk i keni shërbyer aspak zbardhjes së plotë të së vërtetës, por keni dashur që të vërtetoni vetëm të vërtetën e paracaktuar nga ana juaj. Ju, ashtu si dhe organi i akuzës, vazhdoni ta ndani dhe copëtoni në mënyrë të pashpjegueshme fazën e lidhjes dhe zbatimit të kontratës si dy çështje të ndara, kur në thelb, po të lexoni akuzën, është më shumë se gjysma zbatim kontrate. Për ju nuk ka pikë rëndësie vërtetimi siç duhet, me apo pa ekspertizë, e dëmit, e ndonjë shifre, e numrit të operacioneve 50 apo 63 mijë, e burimit të shtimit të kostove (FSDKSH), e burimit të pagesave jashtë përcaktimeve kontraktore për energjinë dhe ujin (FSDKSH), e përfitimit të pallogaritshëm të këtij koncesioni në kursim, në përfitim financiar dhe shëndetësor (në jetë).

Së katërti, ju qartësisht shtruat rrugën për një ndarje artificiale të çështjes. Që ne të tre të qëndrojmë në Gjykatën e Posacme ndërsa të tjerët të shkojnë në Gjykatën e Zakonshme. Prandaj, vërtetohen apo jo akuzat për vjedhje dhe grup të strukturuar kriminal, pak rëndësi ka për ju. E rëndësishme është që çështjet të ndahen.

Së pesti, ju nuk keni asnjë ngurrim që ashtu si dhe gjyqtari Erjon Bani, të përfitoni sa të mundni personalisht dhe mediatikisht nga kjo çështje dhe nga emri im. Në popull ju doni të dilni si gjyqtarja që dhatë drejtësi. Që orientuat hetimet në shinat e duhura. Që zbuluat atë që prokurorët e fshehën. Në fakt, është e kundërta. Ju i prishet të gjitha. Me hetime, me proces e me akuza në mënyrë të paligjshme. Për të gjitha sa më sipër, unë nuk mbrohem dot, por vetëm mund të denoncoj.

Zjarr Tv Ad