Ish-kryeministri Berisha ka vlerësuar gjestin e Palokës, i cili ka spërkatur me bojë kryeministrin Edi Rama. Po kështu ai e ka cilësuar Ramën si një rrugaç, një sharës të lindur. Në prononcimin e shkurtër për mediat, Berisha kërkoi që të marrin fund ofendimet dhe sharjet në Kuvend.
“Kryetari i pseudo-mazhorancës fyeu kryetarin e opozitës, a e dëgjuat çfarë i tha? A mund të fyhet si me qenë rrugaç?
Është sharës i lindur. Ai shprehu mendimin e opozitës, nuk i bëri asnjë fyerje personale. Duhet të marrin fund ofendimet dhe sharjet”, tha Berisha, ndërsa u pyet se si e komenton veprimin e Palokës.
“Ku e din ti, a mori bojë apo ishte stilografi? Më thuaj tani se ju po bëni edhe detektivin”, iu drejtua një gazetareje Berisha, ndërsa një tjetër e pyet nëse Paloka i hodhi bojë me shiringë.
“Ai mund të kishte një stilograf me vete. Mos ngatërron gjë stilografin me shiringën ti më duket”, tha Berisha, duke shtuar se “nuk ka gjë më të rëndë që kryetari i qeverisë, çdo dalje shan opozitën, vetëm në Venezuelë ndodh kjo. Këta janë gangsterë”.