Ish-kryeministri Sali Berisha në konferencën për shtyp nga Rogner, deklaroi se 4200 është numri i firmave të mbledhura për thirrjen e Kuvendit Kombëtar.
Berisha tha se firmat do të dorëzohen sot në selinë e Partisë Demokratike, te zyra e kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka.
Berisha shpjegoi edhe arsyen pse firmat do t’i dorëzohen Palokës.
“Delegatët e Kuvendit Kombëtar firmosën masivisht formularin për të thirrur në ditën e themelimit të PD, Kuvendin, të rithemelimit ose quajeni si të doni, por Kuvendi që do të bëjë Shqipërinë me opozitën më vigane dhe më fitimtare që ka patur ndonjëherë vendi. Në respekt me publikun, për ju, këtu kemi sjellë 4200 formularët e 4200 delegatëve të Kuvendit të PD, nga 1800 që është detyrimi statutor për të thirrur këtë Kuvend. Po pse shkuan kaq shumë? Firmat vazhdojnë. Siç e shihni këtu përpara kemi një shumicë. Jo vetëm të PD por de facto të Shqipërisë. Mos llogaritni atë shumicë me vota të vjedhura atje. Grupi përfaqësues i firmëtarëve ka vendosur që këto formularë historikë të rithemelimit të pluralizimit politik në Shqipëri, t’i depozitojë në selinë e PD, te kryetari i Këshillit Kombëtar të PD, zoti Edi Paloka.
Do thoni ju pse kjo përzgjedhje?
Në Forumet e PD, për dramën e kësaj partie, i vetmi institucion apo forum brenda saj i konstituuar pas Kuvendit është Këshilli Kombëtar. Peng kryetari nuk ka mbledhur akoma Kryesinë e PD, sepse ai ka frikë tani, ka tmerr nga forumet, nga anëtarësia. Kurse Këshilli Kombëtar është forumi më i lartë pas Kuvendit Kombëtar i partisë dhe ai u konstituua, ka bërë një mbledhje. Pikërisht për këto arsye depozitohen pranë kryetarit të Këshillit Kombëtar. Por me garancinë e plotë se do të ruhet privatësia e të dhënave personale, pasi formularët këtu kanë jo vetëm gjeneralitetet, por kanë edhe numrin e kartës së anëtarësisë dhe të kartës së identitetit. Verifikimi i mandateve, sipas rregullit të çdo Kuvendi, bëhet dhe ju lutem ta fiksoni mirë, vetëm Kuvendi ka të drejtën statutore të verifikojë mandatin e zonjës apo zotërisë që ka firmosur formularin”.