Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një takim ditën e sotme me avokatët për të biseduar mbi problematikat e sistemit të drejtësisë dhe hartën e re gjyqësore.
Në fjalën e tij Berisha tha se harta e re gjyqësore është në kundërshtim flagrant me parimet kushtetuese, ligjin për organizimin e drejtësisë, si dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Berisha: Harta e re gjyqësore e cila vjen në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin për organizimin e Drejtësisë është Kapaku që i vihet arkivolit në të cilin e mbylli Reforma e Drejtësisë sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Shqipëria kaloi në një proces unik, asnjë vend, asnjë komb, asnjë pushtues nuk ka guxuar t’i shkatërrojë një vendi tjetër sistemin e drejtësisë, siç e shkatërroi reforma e George Sorosit.
Edhe pushtuesit, kanë konventa për fusha të caktuara të cilat janë të detyruar t’i zbatojnë. Reforma shkatërroi me vetingun nga lart poshtë, të kundërshtuar nga opozita, jo se jemi kundër verifikimit të pastërtisë së figurave, por ne kemi qenë kundër metodës nga lart poshtë.
Metodë e cila kishte dy probleme të mëdha madhore, atë të vakumit shkatërrimtar për sistemin dhe së dyti atë të futjes së duarve nga lart për sistemin. Mohimi që iu bë shqiptarëve për të pasur një proces të rregullt gjyqësor. Kjo reformë e rrënoi këtë të drejtë. Nuk është proces i rregullt kur t’i pret 10 ose 15 vite kur rrethanat dhe kushtet kanë ndryshuar që nga fillimi i procesit.