Ish kryeministri, Sali Berisha ka mbajtur konferencën e jashtëzakonshme një ditë përpara Kuvendit të PD ku pritet të ketë zhvillime të mëdha pasi do të jenë të pranishëm delegatë dhe anëtarët e partisë.
Sërish ish kryeministri ka bërë thirrje që delegatët të jenë të përgatitur dhe të veshur me veshje të trasha për shkak të motit të paqëndrueshëm që ka kapluar vendin. Ndërsa tha se ditën e nesërme të gjithë anëtarët dhe delegatët duhet të jenë të pranishëm për shkak se do të votohet për rrëzimin e Lulzim Bashës nga kreu i partisë.
Këtë të fundit, Berisha e quajti kryetar në letër dhe gjithashtu e ftoi atë së bashku me deputetë të tjerë të PD të cilët kanë një mendim ndryshe.
Ish kryeministri, Sali Berisha:
Me këtë mesazh dua t’ju ftoj juve të gjithë delegatëve të Kuvendit të PD që keni firmosur apo jo formularin të jeni nesër të pranishëm dhe të vendosni me votën tuaj të lirë rithemelimin e forcës tonë politike, rikthimin e saj në shtëpinë e lirisë së demorkatëve shqiptarë në një forcë konservatore të shoqërisë tonë, në një forcë të vërtetë opozitare të sigurtë që do udhëheqë revolucionin demokratik, sot në përmbysjen e narkoshtetit shqiptar dhe rikthimin e votës së lirë për anëtarët dhe simpatizantët e PD, rikthimine votës së lirë për shoqërinë shqiptare në tërësi.
Të dashur delegatë, moti është faktor që nuk varet nga ne. Sugjerimi ynë është që të vini të përgatitur me veshjet me të trasha të mundshme. Shiu nuk bie në zonën ku do ulen delegatët. Unë ftoj me këtë rast të gjithë ata delegatë të PD, duke përfshirë edhe të themi kryetarin e saj Lulzim Bashën, të gjithë drejtuesit dhe deputetët e PD të vijnë nesër në PD edhe ata që mendojnë ndryshe nga ne. Edhe ata të cilën nuk do vijnë nuk është e thënë që do jenë të përjashtuar në të ardhmen.
Ftoj të gjithë anëtarët e PD të cilët kanë mbështetur fuqishëm, lëvizjen për një PD më të fortë dhe më të hapur si të gjithë anëtarët e tjerë që kanë partur me skepticizëm, të vijnë nesër në stadiumin “Air Albania” për të ndjekur këtë moment të rëndësishëm të historisë, rivendosjen e pluralizmit politik dhe rithemelimin e PD.