Ish-kryeministri Sali Berisha në fjalën e tij në Kuvend, ka akuzuar maxhorancën se bllokoi Kuvendin të enjten e kaluar për “shkarravinat” e kryeministrit Edi Rama, i cili zhvilloi një ekspozitë në Berlin. Berisha tha se Ramës nuk iu dha asnjë takim në Berlin, ndërsa sipas tij mori një mesazh që nuk do e tregojë kurrë. Berisha tha se është krim i shëmtuar dhe poshtërim i institucionit.
“I keni gati ato media apo akoma. E enjtja e kaluar për të gjithë deputetët ishte ditë parlamenti. Edvin Kristaq Rama i vuri çelësin parlamentit e vrapo në Berlin për të hapur ekspozitën e tij të shkarravinave. Në të vërtetë, sugarët e tij Fuga dhe sugari bis Caka, hapën lajmet se lideri i tyre do të takohej me Angela Merkel dhe gjithë kryesorë e Gjermanisë. Shkoi dhe u kthye me bisht në shalë. Nuk iu dha asnjë takim. Iu ofrua një takim për t’i dhënë një mesazh, të cilin ai kurrë s’do tua thotë ju. E kam fare të sigurt sepse tani nuk është zor të monitorosh atë. Tani gjerësisht në qarqet ndërkombëtare flitet për njeriun patologjik. Berlini e priti në rumorin e njeriut të sëmurë psikik dhe e përcolli në rumorin e njeriut patologjik. Por zotëri të mbyllësh parlamentin dhe të shkosh sa për shkarravina e të kthehesh në Tiranë me shkarravinat e tua ky është një krim i shëmtuar që i bën parlamentit, një poshtërim i tij. Mirë ju që jeni ushtarë të tij, mirë ju që ju ka hedhur trutë e veshgjatit po shqiptarët që e urrejnë deri në palcë atë. Urrejtja po rritet njësoj si temperatura në ethet e malaries. Asgjë s’e shpëton Edvinin tuaj”, tha Berisha.
Ai kërkoi sqarime për mbylljen e parlamentit. “Ndaj dhe mundësisht na jep pak sqarime me ç’motiv i vutë drynin parlamentit të enjten. Punon njeriu gjithë javën për t’u përgatitur para zgjedhësve, qytetarëve, ndërkohë që e gjen drynin sepse i sëmuri do të shkonte nëpërmjet shkarravinave të krijonte”, deklaroi Berisha.
Nga ana tjetër kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi tha se nuk ka pasur seancë parlamentare të parashikuar më 24 janar dhe se kalendari është vendosur nga kryesia e parlamentit e nuk ka lidhje kryeministri.
“Në datën 24 nuk ka pasur në kalendar seancë plenare pasi sesioni parlamentar fillon në datë 21. Kalendarin e kam miratuar kryesia e parlamentit dhe seanca e parlamentit. S’ka lidhje me kryeministrin. Parlamenti s’ka qenë i bllokuar por iu është lënë koha komisioneve të përgatisnin axhendën e parlamentit që është dita e sotme. Pra, në datë 24 nuk ka pasur seancë.
Ato janë interpretime të tuat zoti Berisha dhe nuk marr unë përsipër të të interpretoj dhe as të kthej përgjigje”, u shpreh Ruçi.