Kryeministri Edi Rama i kërkoi SPAK-ut që të hetojë Sali Berishën, por ish-kryeministri i është përgjigjur sot gjatë një konference për media duke thënë se Rama është në panik ndaj merret me kundërshtarët politikë.
Berisha akuzoi Ramën dhe qeverinë e tij për vjedhje dhe shpërdorim të pronave e aseteve publike.
“Në një panik të jashtëzakonshëm, merret me drejtësinë dhe kundërshtarët e tij politikë. Shkaqet janë madhore, Rama beson se këto qëndrime të cilat shëmbëllejnë apo janë të denja për Korenë e Veriut, synon, ka disa synime, më së pari, të tërheqë vëmendjen e qytetarëve shqiptarë të cilët po përballen me vështirësi shumë të mëdha në jetën e përditshme për shkak të kësaj qeverie. Ky kryeministër që vjedh, vjedh dhe vetëm vjedh. Krijon vetëm mekanizma vjedhjeje. Indeksi i çmimeve nga 2014 është rritur 100%. Kryeministri dhe ministrat e tij vazhdojnë të shpërdorojnë pronat, asetet publike”, u shpreh Berisha.