Lideri historik i PD, Sali Berisha i është përgjigjur sërish akuzave të ambasadës ruse në Tiranë, lidhur me ofertën e Gazpromit, për të anuluar projektin e gazsjellësit TAP.
Berisha tha në ‘Kjo javë’ me Nisida Tufën, se rusët bënë gjithçka për të sabotuar TAP-in.
Ish-kryeministri tha se përfaqësuesit rusë të Gazprom ofruan gaz për Shqipërinë nga Igumenica dhe investime me vlerë 4 miliardë euro në termocentrale energjetike.
“Rusët përdorën të gjitha mjetet për të sabotuar TAP-in. Ne, dhe personalisht unë, bëmë gjithçka që TAP të realizohej. Mund të ishte TAP vetëm nëse kalonte në Shqipëri. Po të devijonte rrugë, nuk mund të ishte TAP. Donim gaz azer. Shqipëria nuk pranonte gaz rus. Jo si Edi Rama që thotë se Rusia nuk është armiku ynë. Paralel për të sabotuar TAP u rrit një rrjet tjetër i madh shumë ITGI, rrjeti ekzistues, Itali, Greqi, Turqi, i cili funksionon sot me gaz rus.
Pra, çdo përpjekje u bë që ai ITGI të ishte fitues edhe i gazit Kaspik, por në këtë rast ‘Big Brother’ ishte brenda. Dhe nuk mund të them absolutisht për këto vende, por në vendet ish-komuniste gazi rus ka krijuar elitën e miliarderëve filorusë që janë në tërësi fatkeqësia kombëtare për ato vende. Imagjino po të ishte Edi Rama në vendin tim, si do vraponte t’u thoshte shqiptarëve se Vladimir Putin e kemi mik të shquar.
Një mik nga Turqia me orgjininë shqiptare, më vjen me propozimin që të heq dorë dhe kam garanci të plotë se një gazsjellës nga Igumenica në Vlorë e deri në Shkodër dhe se Gazprom do të investonte 4 miliardë dollarë në termocentrale për ta shndërruar në fuqi energjetike. Mikut tim i them se kam vite që merrem me këtë nga mëngjesi, unë, ekipi im, lobime të vështirë nga Norvegjia në Uashington dhe nuk mendoj kurrë të heq dorë nga ky projekt, u shpreh Berisha.