Berisha: Unë s’do isha futur në Zgjedhjet e 25 Prillit, opozita të ringrihet/ Ia tregoj unë si do ja bëj Ramës…

0
230
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Teksa njoftoi se do të jetë në Kuvend më 10 shtator, pavarësisht se SHBA  e do jashtë, ish-kryeministri Sali Berisha u zotua për opozitarizëm të fortë përballë Edi Ramës. Berisha tha në Euronews se mezi pret të futet në Kuvend, ndërsa shtoi se do t’i përvishet Ramës siç e meriton, duke e akuzuar se tenton të eliminojë kundërshtarët me shpifje.

“Dua ta siguroj Edi Ramës se do të ketë një opozitarizëm që ai do i duket lule ato që kanë qenë përpara sepse ai ka atribuuar me këtë mënyrë përfundimtare ligësinë e tij për të eliminuar kundërshtarë me shpifje. Nuk e ka bërë askush këtë. Rama vjen në parlament si njeriu që në tetë vite ka grabitur në klanin e tij miliarda dhe ka përfunduar 37 km rrugë të lëna në mes nga unë. Vjen si një vasal i pështirësur i Vuçiçit, është një nga bashkëautorët. Ia tregoj unë si do ia bëj. Ai është një çiban në trupin e këtij kombi. Zotin Basha nuk e lë në hije. Unë asnjeri nuk lë në hije. Ky është një argument jo i drejtë. Kjo nuk ka të bëjë fare me përpjekjen time për të errësuar, por me qëndrimin tim në mbrojtje të interesave jetike shoqërore. Po pres me padurim t’i përvishem siç e meriton. Fjala ime do shkëlqejë gjithnjë edhe më shumë,” u shpreh Berisha.

Gjithashtu, Berisha deklaroi se ai nuk do të ishte futur kurrë në zgjedhje, ndërkohë që kundërshtarët kishin ngritur një sistem patronazhistësh. Megjithatë, ish-kryeministri theksoi se Basha mori pjesë pasi PD kishte dalë nga sistemi dhe duhej të futej.

“Opozita ka patur përgjegjësitë e veta në rezultatin e zgjedhjeve.  Në 30 vite mua nuk më ka shkuar ndërmend të bojkotoj zgjedhjet. Asnjëherë. Por të them të vërtetën në momentin kur dolën 1 milionë të dhëna të qytetarëve, të kisha qenë kryetar partie, jo në rrethanat e djegies së mandateve, në ato zgjedhje unë nuk merrja pjesë. Basha sigurisht mori pjesë, edhe nuk bëri gamim që mori. Basha mori pjesë pasi ne kishim dalë nga sistemi dhe ishte e vështirë të mos merrje pjesë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Nuk mund të mos futej në sistemim parlamentar PD.  E thashë këtë për të treguar se kaq të rëndë e konsideroj unë sistemin e patronazhistëve. Opozita duhet të bëjë gjithçka që kjo të ngrihet fuqishëm,” u shpreh ai. Ish-kryeministri tha gjithashtu se opozita ka marrë një goditje të fortë, por duhet të ringrihet. Berisha propozon protesta dhe revoltë brenda dhe jashtë parlamentit.

“Njeriu në sfidë mund të jetë por detyra e tij është që të vazhdojë luftën. Opozita mendoj unë duhet të bëjë gjithçka për një strategji, të një bashkimi sa më të gjerë jo vetëm forcave opozitare por të gjithëve elementëve qe qenësorë të shoqërisë. PD duhej të bëjë gjithçka në momentin që humbi me sanksione ndërkombëtare, unë them që vetëm sistemi i patronazhistëve s’duhej të pranohej kurrë. Opozita duhet ta bëjë natën ditë, të ngrejë protestën, qëndrimin, në parlament, jashtë parlamentit. Kjo që ndodhi është mënxyrë. Nuk ka stabilitet pa votë,” tha Berisha.

Zjarr Tv Ad