Berisha: Vuçiç kërcënim serioz për paqen në rajon

0
23

Nga Sali Berisha

Miq, Aleksandër Vuçiç, presidenti me rusofil i Serbomadhisë këto 70 vitet e fundit, armatoset nga Rusia gjerë në dhëmbë!

-Ai me rekomandim të Carit Putin bleu tani se fundi sistemin raketor ‘Pantsir’ dhe po përgatitet të marrë sistemin raketor ‘S 400!’

-Në të vërtetë ndonëse Serbinë nuk e kërcënon asnjë vend ai po përgatitet për luftë.

Për të gjitha këto

-ish-presidenti properëndimor i Serbisë, Boris Tadiç një javë më parë

-paralajmëroi publikisht botën se aktualisht -nacionalizmi serb mund të zhysë Ballkanin në konflikte të reja.

Pikërisht këto konflikte po ushqen dhe përgatit me vendosmëri me kursin e tij të çmendur të armatimit presidenti me rusofil i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Ai duke përdorur argatët e tij në Tiranë dhe Prishtinë dhe armatimet moderne ruse kalon nga një projekt në një projekt tjetër të Serbomadhisë.

Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe kursin luftenxitës të Serbomadhit Vuçiç ju bëj thirrje NATO-s dhe SHBA ti rikujtojnë atij se një fuqi e mundur nuk mund të ndërmarrë pa u ndëshkuar një kurs të çmendur armatimi kërcënues për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin e vendeve tashmë anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Këtu më poshtë keni një kronike të hollësishme të Zërit të Amerikes mbi kursin e armatimit me armë dhe sisteme armësh ruse të filorusit Vuçiç, gjë që përbën një kërcënim të vërtetë për paqen dhe stabilitetin rajonal.

Sipas deshirës mund te lexoni! sb

Serbia blen sërish armatime nga Rusia me gjithë kërcënimet për sanksione

Serbia ka blerë një sistem të sofistikuar kundërajror nga Rusia, pavarësisht sanksioneve të mundshme amerikane kundër shtetit ballkanik, që zyrtarisht synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i tha të dielën televizionit proqeveritar Prva se sistemet kundërajrore Pantsir S1, janë blerë pas këshillave nga presidenti rus Vladimir Putin.

‘Blijeni Pantsirin. Është treguar shumë i efektshëm në Siri’, citoi ai presidentin rus t’i ketë thënë në njërin nga takimet e tyre të shpeshta kohët e fundit.

‘Ky sistem kundërajror është shumë efektiv kundër dronëve që janë bërë shumë thelbësorë në luftën moderne’, tha presidenti serb.

Me gjithë synimet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, Serbia nën udhëheqjen populiste të presidentit Vuçiç, ka forcuar lidhjet politike e ushtarake me aleaten e saj sllave, Rusinë.

Serbia është zotuar të qëndrojë jashtë NATO-s dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të politikës së saj ndaj Ukrainës.

Armatosja e Serbisë nga Rusia shihet me shqetësim në perëndim, në një periudhë tensionesh në rritje në Ballkanin që u përfshi në luftëra shkatërruese në vitet e 90-ta. NATO ndërhyri kundër Serbisë në vitin 1999 për t’u dhënë fund mizorive ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Zyrtarët amerikanë kanë folur hapur për vendosjen e sanksioneve kundër Serbisë në rast se Moska i shet më shumë armë, veçanërisht të tilla që mund të rrezikojnë sigurinë e vendeve fqinje anëtare të NATO-s.

Presidenti serb Vuçiç tha se shpreson që nuk do të ketë sanksione sepse ai ka folur hapur për blerjen e sistemeve Pantsir. Ai tha se beson që kërcënimi me sanksione ka të bëjë me shumë me blerjen e mundshme të sistemeve kundërajrore S-400 që kanë një gamë shumë më të gjerë veprimi dhe janë armë sulmuese.

Serbia mori të shtunën dy nga gjashtë sistemet e raketave të blera ruse, vetëm disa ditë pasi që ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, vizitoi Beogradin, ku deklaroi se bashkëpunimi ushtarak midis dy shteteve ka arritur në një nivel ‘thelbësisht’ të ri.