Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar në lidhje me sulmin e djeshëm në Veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një efektiv i policisë.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se komiteti ndërkombëtar duhet të dorëzojë presidentin serb Aleksandër Vuçiç në Hagë, pasi në të kundërt rajoni nuk do të gjejë kurrë paqe.
Sakaq shtoi se PD dënon me forcë organizimin e Beogradit në Veri , ku shtoi se duhet finalizuar me ndihmën e ndërkombëtarëve edhe dialogu.
“PD mbështet pa rezervë të drejtën e autoriteteve të Kosovës për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit.
Ajo përgëzon dhe përshëndet policinë e Kosovës për guximin, vendosmërinë dhe trimërinë që dëshmoi, profesionalizmin e lartë në shtypjen e kryengritjes së armatosur. PD u bën thirrje autoriteteve të Kosovës të bëjnë më të mirën që në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, të finalizojnë me dialog, marrëveshjen me Serbinë. PD dënon me forcën më të madhe organizimin nga Beogradit të kryengritjes së armatosur në Kosovë.
Për PD-në, organizimi nga Beogradi i kryengritjes tregon qartë se Vuçiç është një Millosheviç i ri. PD i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të dorëzojë sa më parë Aleksandër Vuçiçin në gjykatën e Hagës për pjesëmarrjen e tij thelbësore në gjenocid dhe krime shfarosëse ndaj njerëzimit të kryera nga Beogradi ndaj boshnjakëve dhe shqiptarëve pak vite më parë. Dorëzimi i Millosheviçit të ri në Hagë, do ishte jo vetëm përmbushje e detyrimit ligjor dhe moral ndaj viktimave të pafajshme të gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit, por edhe kushti i të gjitha kushteve për paqen dhe bashkëpunimin në rajon. Me Aleksandër Vuçiç në Beograd, rajoni nuk do gjejë paqe, por vetëm konflikte dhe trazira”, tha Berisha.