Bërnabiç: Kosova të heqë taksën pas takimit në Berlin

0
2

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç pak para Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet më 29 prill në Berlin, nuk pret që të ketë ndonjë propozim për zgjidhjen me Kosovën, por vetëm heqje të taksës nga kjo e fundit.

Në një intervistë dhënë për “Radio Beogradin”, Bërnabiç është shprehur që Serbia është një vend që kërkon dhe merr pjesë në bisedimet për fatin e qytetarëve të saj.

“Unë mendoj se të gjithë partnerët tanë e dinë se Serbia nuk është një vend që shërben për zgjidhje të gatshme dhe unë mendoj se sot është mjaft e qartë se Serbia është një vend që kërkon dhe merr pjesë në bisedimet për fatin e shtetit, kështu që unë nuk pres që partnerët tanë të përpiqen dhe unë nuk mendoj se ata vërtet kanë për qëllim të dalin me një zgjidhje të gatshme në çdo kohë”, u shpreh Bërnabiç.

Kryeministrja serbe mendon se vendi ka një imazh ndryshe në rajon me politikat e presidentit aktual, Aleksandër Vuçiç. Ajo nuk ka fshehur edhe zhgënjimin nga Kosova, sipas së cilës pavarësisht presionit të Bashkimit Evropian dhe Amerikës, nuk po arrin që t’i zbatoj marrëveshjet e arritura në Bruksel.

“Nuk do të flisja për masa kundërthënëse konkrete. Kjo është ajo që po bën ekipi ynë dhe ne po shohim se si ta bëjmë atë në mënyrën më të mirë. Unë ende shpresoj se nuk do të ketë nevojë për futjen e një kundërmasë, shpresoj, ndoshta jam tepër naive apo shumë optimiste, që pas takimit në Berlin, Kosova mund të tërheqë vendimin për taksën. Jam e zhgënjyer nga fakti se kanë kaluar gjashtë muaj pasi që kanë kaluar pothuajse gjashtë vjet që nga Marrëveshja e Brukselit, ku pavarësisht presionit, kryesisht nga Brukseli dhe Uashingtoni, Prishtina nuk zbaton marrëveshjet e dakorduara, ose vazhdon me masa jo të civilizuara, siç është taksa”, tha Bernabiç.

Kryeministrja serbe në këtë intervistë e ka ritheksuar se dialogu me Kosovën nuk mund të vazhdojë pa heqjen e taksës.

“Ky vendim është në kundërshtim me kuptimin e përbashkët, është në kundërshtim me gjithçka që BE-ja po bën, kryesisht përmes Procesit të Berlinit, që është iniciativa e Kancelares Angela Merkel, kështu që është në kundërshtim me lidhjet rajonale ekonomike, transportuese dhe infrastrukturore. Për të gjithë atë që ne kemi bërë për shumë vite, për të krijuar një rajon, të gjithë së bashku në rajon dhe partnerët tanë nga BE, për të krijuar një rajon më të qëndrueshëm, më të fortë, më të integruar, duke u ofruar njerëzve një perceptim të ndryshëm dhe të ardhme të ndryshme. Ky vendim i Kosovës është kundër çdo gjëje”, ka vlerësuar Bërnabiç.