Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka ndarë me ndjekësit e tij në mediat sociale se ku i ka kaluar Krishtlindjet.
Në një postim në Facebook, Basha shkruan se sot ka vizituar familjet Ndoka në Hajmel dhe familjes Lorja në Stajkë.
“Krishtlindja na bashkon të gjithëve rreth vlerave më të mira të familjes, të komunitetit dhe të Atdheut e na mbush me optimizëm dhe besim për të nesërmen”, shkruan ndër të tjera Basha.
POSTIMI I PLOTË
Këtë ditë të Lindjes së Krishtit e kalova pranë familjes Ndoka në Hajmel dhe familjes Lorja në Stajkë. Ndonëse në vështirësi të mëdha, mesazhi i tyre në këtë ditë të shenjtë është besimi dhe shpresa tek e nesërmja.
Pata nderin të ndalesha për të uruar edhe Ipeshkvin e Dioqezës së Sapës Dom Simon Kullin.
Krishtlindja na bashkon të gjithëve rreth vlerave më të mira të familjes, të komunitetit dhe të Atdheut e na mbush me optimizëm dhe besim për të nesërmen.