Besnik Mustafaj për DW: Berisha po e ndihmon PD-në, Basha po i përdor SHBA-të

0
48
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Shkrimtari dhe intelektuali, Besnik Mustafaj, i cili ka qenë edhe eksponent i lartë i Partisë Demokratike që në themelim, Ministër i Jashtëm i Shqipërisë nën qeverinë e kryeministrit Sali Berisha, si dhe anëtar i Komisionit që thirri Partia Demokratike për zgjedhjen e kandidaturave të deputetëve për zgjedhjet e 25 prillit, ka dhënë një intervistë për gazetaren e DW, Lindita Arapi, ku ka folur për zhvillimet e fundit brenda PD-së.

I pyetur nëse mendon se mund të kemi dy parti pas 18 dhjetorit dhe jo më një PD unike, Besnik Mustafaj thotë se lëvizja që ka nisur Berisha faktikisht po i bën një shërbim të madh partisë.

“Unë konstatoj që Berisha po arrin të zgjojë bazën e Partisë Demokratike, masën e anëtarëve dhe simpatizantëve të saj, e ky është shërbim i madh që ai i bën PD-së. Pastaj prodhimi e rezultati institucional, si do të vazhdojë udhëheqja e drejtimi i Partisë Demokratike, a do të vazhdojë Lulzim Basha apo do të kemi zgjedhje të reja, ky është një problem që nuk e parashikoj dot me siguri, është një problem procedurial, një problem statutor, por edhe një problem që lidhet me karakteret e të dy liderëve edhe të Bashës edhe të Berishës, që sot faktikisht kanë shkuar në një pikë, ku unë nuk shoh asnjë mundësi kompromisi”, tha ai.

Gjithashtu Mustafaj është pyetur, nëse sheh ndonjë mundësi dialogu pas dy kongreseve dhe kësaj përplasje të ashpër mes Bashës e Berishës. “Unë shpresoj që po, të shohim ndryshimet statutore, të cilat unë vetë i mendoj, se janë të drejta, ato që kërkon Berisha, dhe ekipi i tij. Ai ka tanimë mjaft ish-drejtues të Partisë Demokratike që i janë bashkuar, i është bashkuar Forumi Rinor, ka shkuar masivisht edhe Lidhja e Gruas Demokrate”, ka deklaruar ai.

Ish-diplomati Besnik Mustafaj është pyetur nga gazetarja Lindita Arapi, edhe për shpalljen “person non grata” të Berishas nga SHBA dhe a do të rrezikonte kjo që një “PD post Foltore” me Berishë në krye, të gjendej në një përplasje të hapur dhe e izoluar kundrejt SHBA.

“Unë nuk jam nga ata pesimistë që mendojnë se ardhja e Berishës do shënonte një luftë mes PD dhe Shteteve të Bashkuara. E para Berisha e ka ndarë çështjen e vet me Departamentin e Shtetit nga dialogu me demokratët. Ka pasur flamuj amerikanë në të gjitha mitingjet e tij dhe ai e ka shpallur se e ka çështje private dhe do e zgjidhë me drejtësinë. Tjetra, diplomacia amerikane është pragmatiste dhe punon me ata që janë faktorë.

Për mua nuk është Berisha zgjidhja më e mirë e mundshme në krye të PD-së, por as Basha nuk është një zgjidhje e mirë…Basha po e përdor për luftë politike këtë, por realiteti është ky, në asnjë miting Berisha nuk ka kërkuar mbrojtje të PD, dhe ka ndjekur rrugën e drejtësisë. Ju garantoj se gjendja në krye të PD nuk do përbënte asnjë mbrojtje për Berishën nëse ndaj tij hiqet imuniteti dhe hapen hetime. Nga ana tjetër çdo hetim është hetim kundër një individi jo kundër PD-së. PD është më e rëndësishme se individi që e përfaqëson”, ka dhënë opsionin e tij Besnik Mustafaj për këtë çështje.

Zjarr Tv Ad