Betejat në Kongres për raportin “Mueller”

0
19
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Republikanët e Kongresit duan të dinë se çfarë e nxiti hetimin federal të fushatës së zotit Trump, një proces ky që nisi gjatë administratës së zotit Obama.

Këtë javë në Uashington pritet të intensifikohen betejat politike lidhur me publikimin e raportit të plotë të hetimit mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhje, si dhe informacionin mbi taksat personale të presidentit Donald Trump.

Korrespondenti i “Zërit të Amerikës”, Michael Bowman, thotë se demokratët kërkojnë publikimin e informacionit që lidhet me të dyja çështjet, por po përballen me rezistencë nga republikanët, si dhe avokatët e presidentit.

Prokurori i përgjithshëm, William Barr, pritet të publikojë një variant shumë të redaktuar të raportit të Robert Muellerit, që sipas zotit Barr nuk gjeti fakte për një marrëveshje të fshehtë ndërmjet Moskës dhe zyrtarëve të fushatës së zotit Trump në vitin 2016, si dhe ishte neutral lidhur me çështjen nëse pati përpjekje nga presidenti për të penguar drejtësinë. Por kjo nuk i ka kënaqur demokratët.

Trump ka thënë se raporti duhet të bëhet publik

“Ajo për të cilën ne flasim ka të bëjë me transparencën minimale. Le të sigurohemi që raporti i plotë i Muellerit do të publikohet në Kongres, duke përfshirë dokumentet kryesore dhe informacionet e zbulimit e pastaj të sigurohemi që populli amerikan të shohë sa më shumë nga ky raport sa më parë të jetë e mundur dhe sa më shpejt të jetë e mundur”, thotë senatori demokrat Mark Warner. “Nuk e kemi parë raportin e Muellerit, kemi parë vetëm një raport të Barrit. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë të vendosur për këtë, do ta kërkojmë me ngulm”, thotë ligjvënësja demokrate Pramila Jayapal.

Si për t’i shtuar benzinë zjarrit shtypi raportoi se anëtarët e ekipit të zotit Mueller besojnë se në përmbledhjen e tij prej katër faqesh mbi raportin zoti Barr ua ka ulur peshën informacioneve dëmtuese që janë siguruar mbi rrethin e brendshëm të zotit Trump.

Vetë zoti Trump ka thënë se raporti duhet të bëhet publik. Por sipas ekipit ligjor të presidentit, kjo çështje nuk është në dorë të tij ose të kujtdo tjetër përveç prokurorit të përgjithshëm. “Në pajtim me rregulloret prokurori i përgjithshëm bën përcaktimin se çfarë duhet të publikohet dhe si… procesi po bën përpara dhe mendoj se po ecën shpejt”, thotë Jay Sekulow, avokat i zotit Trump.

Ndërkohë republikanët e Kongresit duan të dinë se çfarë e nxiti hetimin federal të fushatës së zotit Trump, një proces ky që nisi gjatë administratës së zotit Obama.

“Ajo që gjithashtu duhet të dimë është se si nisi e gjitha kjo, pasi mendoj se është shumë e rëndësishme që të mos bëjmë para e pastaj të kthehemi pas, ku çdo parti që vjen në pushtet të përpiqet të përdorë aparatin qeverisës për të hetuar presidentin e mëparshëm”, thotë senatori republikan Rand Paul.

Të dyja betejat ka të ngjarë të shkojnë në gjykatë

Në të njëjtën kohë shumica demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve po kërkon të sigurojë qasje tek informacionet mbi taksat personale të presidentit Trump.

“Veçanërisht në këtë rast, ku keni një president që jo vetëm ka pasuri shumë të madhe, por ka marrë vendimin e pazakontë që ta kontrollojë atë. Këtu shtrohet një pyetje thelbësore, nëse interesat financiare personale të presidentit ndikojnë në vendimmarrjen e tij publike”, thotë ligjvënësi demokrat Dan Kildee.

Donald Trumpi është presidenti i parë i kohëve moderne që refuzon të bëjë publike të dhënat që lidhen me pagesën e taksave nga ana e tij. Republikanët kanë vënë në dukje se zoti Trump nuk është ligjërisht i detyruar ta bëjë këtë dhe akuzojnë demokratët për qëllime politike. “Kjo çështje është e motivuar nga mospëlqimi i vazhdueshëm që demokratët kanë ndaj këtij presidenti. Motivohet nga zhgënjimi i tyre për humbjen e zgjedhjeve në 2016-n, që ata mendonin se do t’i fitonin me lehtësi. Motivohet nga dëshira e tyre për të përdorur të gjitha burimet në dispozicion për të gjetur diçka për ta rrëzuar këtë president”, thotë senatori republikan Chuck Grassley.

Të dyja betejat, si ajo për publikimin e raportit “Mueller” ose publikimi i informacioneve mbi pagesën e taksave nga ana e zotit Trump ka të ngjarë të shkojnë në gjykatë, ndoshta në Gjykatën e Lartë amerikane.

 

Zjarr Tv Ad