Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, entuziast u shpreh se mezi e ka pritur këtë mision të ri të partisë. Ndonëse janë kthyer mbrapsht 30 vite pas, Vasili shprehet se anëtarëve nuk i mungon kurajoja për tu përballur dhe për të ecur para.
“Mezi e kam pritur këtë mision të ri. Që nga dje jam deputet i Partisë së Lirisë. Jemi kthyer mbrapsht 30 vjet në kohë, por nuk ka pse të na mungojë kurajoja për tu përballur”, tha Vasili.
Vasili u shpreh se LSI e përfundoi misionin e saj, duke shtuar se Partisë së Lirisë, mund ti bashkohen të gjithë pasi shteti ka dalë nga shinat.
“Misioni i LSI mund të konsiderohet i përmbyllur sepse kemi bërë sakrifica të panumërta që në 2014 kur u themelua. Kur LSI doli nga qeverisja dhe ajo u përqendrua në një grusht të vetëm ju e patë se çfarë ndodhi me integrimin. Në këtë moment, ku dhe formalisht negociatat janë hapur, ky mision për këtë prioritet madhor që ishte integrimi i përmbyll.
Nga ana tjetër ka ndodhur një transformim i tmerrshëm. Liria e pronës po dhunohet, liria e shprehjes, nuk i garantohet gazetarëve jo më qytetarëve të thjeshtë, më tutje kemi kontrollin e qeverisjes që është zero.
Qeverisja refuzon të gjitha instrumentet e kontrollit. Skandalet janë në sytë e qytetarëve.
Jemi në një situatë ku asnjë prej lirive nuk përjetohet. Krye liria, që është liria e votës dihet se cili është manipulimi që ka ndodhur.
Partia e Lirisë është dimension i madh sepse liria i mungon qytetarit pavarësisht se cili është orientimi i tij. dimensioni i Partisë është një frymëmarrje shumë e madhe. Ky fron është kaq i madh sa mund të bashkohet çdokush pasi shteti ka dalë nga shinat. Është një betejë që ngjan si dy pika uji me atë të viteve ’90. Atëherë ishte beteja për të vendosur pluralizmin, sot është beteja për ta rivendosur dhe një herë pluralizmin”, tha ai për Abc.
Në përfundim Vasili theksoi se të gjitha iniciativat për referendum do mbështeten nga Partia e Lirisë dhe do të bëhet gjithçka për të ndryshuar mekanizmat ligjore. Beteja është e vërtetë.