Biberaj: Zgjedhjet lokale do të përsëriten në të gjitha bashkitë

0
448

Aleksandër Biberaj, ish-deputeti i PD-së shpreh shqetësimin se që nga viti 2017, socialistët qeverisin të vetëm dhe sidomos që nga 2019-ës, që i kanë të gjitha pushtetet, janë bërë parti-shtet si në monizëm. Z.Biberaj tregon për “Gazeta Shqiptare”, se përse u ndërmor nisma “Anti-KÇK” vitin e fundit të qeverisjes, ndërkohë që socialistët kanë të gjitha pushtetet dhe mund ta kishin bërë më herët një gjë të tillë. Sipas anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD-së, prezantimi i një ideje të tillë synon që të trembë grupet kriminale, t’iu bëjë atyre presion dhe nëpërmjet presionit t’i kthejë për vete edhe ato grupe që s’i ka pasur nën komandë deri sot, për t’i përdorur për fushatën elektorale, që do të jetë afër.

“Nga ana tjetër, nëpërmjet veprimeve të paligjshme do t’iu japë argumente grupeve kriminale t’i çojnë çështjet në gjykatë dhe nëpërmjet gjykatave të amnistohen, siç po ndodh tani që po lirohen nga burgjet elementët më kriminalë, me dënime maksimale, vetëm e vetëm që t’i përdorë për fushatë elektorale”, shprehet z.Biberaj. Duke u ndalur te ligji i dekriminalizimit, zyrtari demokrat shprehet se pavarësisht rezistencës së ‘rilindjes’ dhe farsës së 30 qershorit, janë 6 kryetarë të vetëshpallur të bashkive që kanë pasur të shkuar kriminale. Aleksandër Biberaj paralajmëron se do të ketë edhe shumë të tjerë, gjë që do të çojë automatikisht dhe shumë shpejt në përsëritjen e zgjedhjeve lokale në të 61 bashkitë që ka vendi.

Z.Biberaj, le ta nisim nga akti i fundit i qeverisë, i ashtuquajturi akti “Anti-KÇK” ose “OFL”, cili është gjykimi juaj për këtë nismë?
E gjykoj ashtu siç është, ashtu siç po e shohin të gjithë qytetarët shqiptarë, propaganda e radhës, fasada e radhës, butaforia e radhës, shfaqja e radhës. Aq më tepër kur ky akt ndërmerret vitin e fundit të qeverisjes, këtu ishte kjo qeveri prej 7 vitesh, kush i ndaloi që të ndërmerrnin nisma të tilla, por të sinqerta gjatë këtyre 7 viteve, sidomos që nga 2017-ta, që qeverisin të vetëm dhe sidomos që nga 2019-ta, që i kanë të gjitha pushtetet, janë bërë parti-shtet si në monizëm!? Akti normativ sipas juristëve më të mirë të vendit është në kundërshtim të hapur me Kushtetutën (duke shkelur një sërë nenesh të Kushtetutës), si dhe ligjet/aktet nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e prokurorisë dhe të gjykatave, pasi Policia e Shtetit nuk mund të marrë kompetencat e prokurorisë dhe gjykatave.

Përse është antikushtetuese…?
Kushtetuta dhe legjislacioni ekzistues i ndan qartë pushtetet, legjislativin nga ekzekutivi dhe sistemin e drejtësisë, dhe këto janë kolonat bazë të demokracisë. Po të kishte Gjykatë Kushtetuese, patjetër që do ta hidhte poshtë një nismë të tillë si antikushtetuese, aq më tepër që Gjykata Kushtetuese është shprehur fare qartë në vitin 2015 për një nismë të tillë që lançoi kjo qeveri, por u tërhoq, pasi e rrëzoi Gjykata Kushtetuese si antikushtuese (besoj se ju dhe qytetarëve ju kujtohet fare mirë ideja e një FBI-je të ngjashme, që do të varej nga Policia e Shtetit dhe ministri i Brendshëm).

Përse bëhet pikërisht tani kjo nismë e qeverisë?
Prezantimi i një ideje të tillë tani synon që të trembë grupet kriminale, t’iu bëjë atyre presion dhe nëpërmjet presionit, t’i kthejë për vete edhe ato grupe që s’i ka pasur nën komandë deri sot, për t’i përdorur për fushatën elektorale që do të jetë afër. Nga ana tjetër, nëpërmjet veprimeve të paligjshme do t’iu japë argumente grupeve kriminale t’i çojnë çështjet në gjykatë dhe nëpërmjet gjykatave të amnistohen, siç po ndodh tani që po lirohen nga burgjet elementët më kriminale me dënime maksimale, vetëm e vetëm që t’i përdorë për fushatë elektorale. Po ashtu, kjo nismë tani që u krijua SPAK-u dhe po krijohet BKH synon që t’i nxjerrë jashtë loje këto institucione, duke iu ndërhyrë atyre në punën dhe kompetencat e tyre ligjore. Siç e kemi ndjekur këtë shfaqje, po konfiskohen pasuri që ishin konfiskuar nga prokuroria dhe gjykatat prej vitesh. Nëse realisht dhe sinqerisht do ta luftosh krimin e organizuar dhe korrupsionin, në radhë të parë fillo nga vetja, pasi sipas realitetit dhe të gjitha raporteve ndërkombëtare je njësh me krimin, ke ministra, deputetë dhe kryetarë bashkish me rekorde kriminale; fillo konfiskimin e pasurisë nga këta individë. Në fund të përgjigjes sime do të thosha se edhe kjo nismë është shfaqja e radhës, nuk ka asnjë shqiptar që ta besojë dhe se do të dështojë më turp si të gjitha shfaqjet paraardhëse të 7 viteve qeverisjeje.

Këtë javë ishte në Shqipëri një misionin faktmbledhës i nivelit më të lartë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës, të cilët para largimit bënë publike edhe konkluzionet e tyre lidhur me votimet e 30 qershorit. Ju keni qene në pozicionin e zv.presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe e dini se si funksionon politika europiane, si i konsideroni konkluzionet e misionit?
Realisht është rast i veçantë që drejtuesit më të lartë të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës të shkojnë në një mision faktmledhës, por kjo nënkuptohet pasi situata që është krijuar në Shqipëri pas votimeve moniste të 30 qershorit, kur kemi një pushtet lokal monist, përbën një rast të paprecedent në Europë. Kolegët europianë të Këshillit të Europës, pas misionit faktmbledhës, konkluduan në mënyrë shumë profesioniste, por edhe shumë të balancuar dhe të paanshme, parime bazë këto të punës dhe misionit të tyre, të sanksionuara në të gjitha dokumentet themelore të KE-së. Ata konkluduan se, “për fat të keq zgjedhjet lokale të vitit 2019 nuk ishin të favorshme për forcimin e demokracisë lokale në Shqipëri, por kanë çuar në më pak pluralizëm në bashki dhe në një erozion të mëtejshëm të besimit të qytetarëve në institucionet e këtij vendi” dhe se “Nuk ka demokraci funksionuese në nivelin e shtetit pa një demokraci pluraliste dhe të gjallë në nivelin lokal”. Siç dihet, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës nuk pranoi të merrte pjesë në farsën e të 30 qershorit, duke shënuar edhe një rast unikal në historinë e ekzistencës së këtij institucioni prestigjioz, i cili është më i specializuari në Europë për monitorimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale, ndërkohë që edhe OSBE/ODIHR që monitoruan procesin, në fund të tij miratuan raportin më kritik që është bërë ndonjëherë për zgjedhjet në Shqipëri. Realisht ky qëndrim zyrtar i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës është më i drejtpërdrejti dhe më i ashpri i bërë nga një institucion ndërkombëtar për farsën e 30 qershorit, duke i bërë nul realisht ato votime moniste.

Meqenëse jemi te pushteti lokal, siç dihet deri, tani janë 6 kryebashkiakë të 30 qershorit që po lënë mandatet si pasojë e ligjit të dekriminalizimit të politikës, që u iniciua nga Partia Demokratike. A mendoni se kjo nismë për pastrimin e politikës po jep rezultatet e duhura?
Me gjithë rezistencën e rilindjes dhe ndonëse në mënyrë të ngadaltë, por ky ligj po jep rezultatet e veta, pasi janë disa deputetë dhe kryetarë bashkish që kanë lënë mandatet si pasojë e këtij ligji. Siç e përmendi edhe ju në pyetjen tuaj, vetëm pas farsës së 30 qershorit janë 6 kryetarë të vetëshpallur të bashkive të rilindjes, që kanë pasur të shkuar kriminale, ndërkohë që do të ketë edhe shumë të tjerë, gjë që do të çojë automatikisht dhe shumë shpejt në përsëritjen e zgjedhjeve lokale në të 61 bashkitë që ka vendi.
Z. Biberaj, kemi një situatë të rënduar të rendit në vend. A ka PD-ja një program të qartë kur të vijë nesër në pushtet për garantimin e sigurisë të qytetarëve?
Me të vërtetë situata është tepër alarmante, kemi një bilanc viktimash si me qenë në front lufte, ndërkohë që jeta e qytetarit shqiptar fatkeqësisht vazhdon të jetë si pa vlerë. Gjëja e parë që do të bëjmë me të ardhur në pushtet është depolitizimi dhe ndarja e Policisë së Shtetit nga krimi, edhe duke e pastruar Policinë e Shtetit nga elementët kriminalë. Elementi i dytë ka të bëjë me motivimin e Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit, edhe nëpërmjet profesionalizmit dhe rritjes së pagave. Fatmirësisht kemi në dispozicion specialistët më të mirë të fushës që po punojnë për programin, i cili do të jetë tepër ambicioz. Ashtu siç kemi bërë në vitin 1992 kur ri-vendosëm rendin për tre muaj, dhe në vitin 2005 kur u goditën të gjitha bandat dhe grupet kriminale në një kohë rekord dhe rreth një mijë elementë kriminalë përfunduan para drejtësisë, me krijimin e qeverisë së re të PD-së dhe aleatëve pas zgjedhjeve, do të ketë një luftë pa kompromis kundër bandave, grupeve kriminale dhe elementëve kriminalë dhe rezultate do të jenë në një kohë rekord. Brenda 100 ditëve situata do të ndryshojë totalisht dhe qytetarët shqiptarë do të shohin rezultatet konkrete.

Vendi prej një viti ndodhet në një krizë politike, cila do të jetë zgjidhja e saj sipas jush?
Nuk kemi vetëm një krizë politike, por një krizë shumëplanëshe, krizë ekonomike, sociale, morale, krizë besimi dhe humbje shprese, situata po shkon keq e më keq çdo ditë. Në këto kushte vetëm zgjedhjet e parakohshme politike dhe përsëritja e zgjedhjeve lokale në të 61 bashkitë, me një qeveri tranzitore, do të ishte zgjidhja e kësaj krize, zgjidhje kjo që do të ishte në interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

PD-ja dhe opozita gjatë vitit të kaluar dogjën mandatet e deputetëve dhe bojkotuan zgjedhjet lokale te 30 qershorit, sot pas një viti a mendoni se ato ishin vendimet e duhura?
Ngjarjet dhe vendimet gjykohen në kohën dhe kontekstin kur ato ndodhin dhe ato vendime u morën në një kohë dhe kontekst të caktuar, kohë kur opozita nuk kishte asnjë lloj alternativë tjetër. Analiza pas një viti tregon se ato vendime i shërbyen opinionit brenda dhe jashtë për të parë dhe kuptuar se çfarë është në të vërtetë qeverisja e rilindjes dhe sot nuk ka mbetur asnjë lloj iluzioni apo iluzionisti pa kuptuar se qeverisja e rilindjes është më e keqja që ka pasur Shqipëria që nga viti 1990, kohë kur u ndryshua edhe sistemi politik.

Si e gjykoni performancën e z.Basha dhe lidershipit të ri të PD-së të dalë nga Kuvendi i PD-së i dhjetorit 2018?
E shoh me pozitivitet. Zoti Basha ka treguar lidership të guximshëm, pasi ka marrë vendime të vështira për një lider, ka frymën e grupit dhe bashkë me grupin ka arritur që t’i bëjë transparencën e plotë qeverisjes së rilindjes dhe po tregon një model të ri lidershipi, që do t’i shërbejë me devotshmëri nesër në qeverisje Shqipërisë dhe shqiptarëve. Ka qenë një periudhë që ka pasur një volum shumë të madh pune. Pas 10 protestave të mëdha kombëtare të vitit të kaluar, të gjitha strukturat nga qendra në bazë po bëhen gati për zgjedhjet e parakohshme politike dhe lokale, të sigurt se do t’i fitojmë. Ndërkohë po punohet për programin elektoral dhe qeverisës, për t’u dhënë shqiptarëve një model krejt të ri qeverisës, që bazohet në ndershmërinë, profesionalizmin, përgjegjësinë publike dhe përgjegjshmërinë ndaj qytetarit.
Edhe ish-kryeministri dhe lideri historik i PD-së, Sali Berisha, vazhdon të mbetet shumë aktiv në politikë…
Absolutisht që e respektoj aktivitetin politik të dr. Berishës, është komplet në të drejtën e tij të të bërit opozitë dhe e bën shumë mirë atë punë. Ka një eksperiencë dhe përvojë të jashtëzakonshme si në qeverisje, ashtu edhe në opozitë që na shërben dhe ndihmon të gjithëve.
A ka nevojë PD-ja për të afruar sa më shumë kontribuues të PD-së, për t’u hapur dhe demokratizuar më shume, me qëllim bërjen gati për zgjedhjet e reja dhe fitoren e tyre?
Patjetër që ne kemi nevojë për çdo qytetar antiqeveritar dhe dera e PD-së është e hapur për çdo njeri që kërkon ndryshimin. Nuk ka mision më fisnik sesa të bësh opozitën në një vend si Shqipëria, ku opozita përballet me sakrifica të panumërta. Sot është detyrë patriotike, por edhe detyrim i çdo qytetari shqiptar që nuk është dakord me këtë qeveri që t’i bashkohet opozitës, me qëllim rrëzimin e kësaj qeverie dhe çuarjen e vendit drejt zgjedhjeve të parakohshme.

Opozita e bashkuar gjatë vitit të kaluar zhvilloi 10 protesta të mëdha kombëtare, por nuk arriti të largojë kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë. Për cilat arsye?
Protestat tona ishin tepër masive dhe patën përkrahje mbarë popullore, dhe dhanë rezultatet e tyre. Të gjithë ata që morën pjesë në protestat tona meritojnë respekt dhe mirënjohje. Ndoshta gabuam taktikisht, pasi duhej të kishim zhvilluar protesta të pandërprera, të kishim ndenjur në shesh para kryeministrisë dhe të gjitha sheshet e Shqipërisë, deri sa të rrëzonim qeverinë më të korruptuar në kontinent.

A mendoni se ka vend dhe hapësira për protesta?
Patjetër, pasi çdo ditë që kalon, kjo qeverisje i bën vendit një dëm kolosal të paimagjinueshëm, të pallogaritshëm dhe ndoshta shumë vështirë të rikuperueshëm. Jam i bindur se kur të fillojmë protestat këtë herë, ato do të jenë në çdo shesh, në çdo rrugë, në çdo kohë dhe të pandërprera, pasi urrejtja e shqiptarëve për këtë qeverisje po arrin kulmin dhe rezultati patjetër do të jetë largimi i kësaj klike nga pushteti.

A është PD-ja e gatshme për qeverisjen e vendit, pasi nuk kemi parë akoma një qeveri hije të PD-së dhe a ka opozita intelektualë dhe ekspertë për qeverisjen e ardhshme që të bëjë edhe diferencën me qeverisjen e ‘rilindjes’?
Në praktikën shqiptare nuk para kemi pasur qeveri hije nga opozita, për arsye ndoshta të mentalitetit dhe të psikologjisë sonë ballkanike, por edhe me qëllim që të mos ketë hatërmbetje apo përçarje para fushatave elektorale. Unë personalisht do të isha që të implementonim modelin anglo-sakson të qeverisë hije, sikurse do të isha dakord që si kandidatët për kryetar bashkie, ashtu edhe ata për deputetë të deklarohen dhe të fillojnë punën e tyre përgatitore të paktën 6 muaj deri në 1 vit përpara zgjedhjeve, pasi dihet që çdo opozitë synon marrjen e pushtetit për të realizuar programin e vet elektoral. Sot për sot kemi ekspertët më të mirë që ka vendi nga të gjitha fushat, që janë edhe garancia më e mirë e një mire qeverisje nesër në pushtet. Rrotacioni i pushtetit dhe mirëqeverisja do të krijojnë kushte që shqiptarët të rrinë këtu, pasi për 7 vjet kanë emigruar rreth 600.000 shqiptarë jashtë dhe ky është një dëm kolosal dhe historik që rilindja i ka bërë vendit, uroj që ky dëm të jetë i rikuperueshme.

Si e gjykoni iniciativën e “minishengenit ballkanik”?
Është si një foshnje e lindur e vdekur, e destinuar që të dështojë që në fillim, pasi duke qenë fatkeqësisht një iniciativë serbo-madhe që vjen nga Beogradi, nuk mund të ketë përkrahjen e shqiptarëve, dhe në Ballkan nuk mund të ketë asnjë iniciativë që përjashton Kosovën, pavarësisht dëshirës së disa shqipfolësve që i shërbejnë Beogradit. Ne si Shqipëri nuk kemi as kufi dhe as nuk jemi vend fqinj me Serbinë. Ballkani nuk ka asnjë lloj nevoje për “minishengen ballkanik”, pasi kemi Shengenin Europian që na bashkon të gjithëve.

A mendoni se çështja e ndarjes së Kosovës apo ndryshimi/korrigjimi i kufijve siç është quajtur është histori e mbyllur tashmë?
Fatmirësisht në sajë të rezistencës së pari të Ramush Haradinajt, por edhe të dr. Berishës, të Presidentit Ilir Meta, të shumë intelektualëve nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, por kryesisht të kancelares gjermane Angela Merkel, ai projekt serbo-madh u bë nul. Kemi humbur shumë territore nga padrejtësitë shekullore ndaj nesh, është koha që të konsolidojmë me të drejtë pozitat tona në Ballkan si faktor paqeje dhe stabiliteti./GSH.al