Një javë kritike kjo për diplomacinë, ndërsa presidenti amerikan Joe Biden shkon në Evropë për një takim të jashtëzakonshëm të NATO-s, që synon të ulë tensionet nga konflikti në Ukrainë dhe t’i vendosë sanksione të tjera Rusisë, për ta bërë këtë vend të paguajë një kosoto më lartë për sulmin ndaj fqinjit të saj perëndimor. Vendet evropiane janë të shqetësuara se konflikti mund të përhapet në territorin e tyre. Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë Anita Powell dhe korrespondenti Bill Gallo në Seul na kanë përcjellë këtë material.
Presidenti Joe Biden shkon në Evropë të mërkurën me shpresën se bisedimet ballë për ballë me udhëheqësit e NATO-s, ata evropianë dhe të G7-ës, do të arrijnë atë që diplomacia virtuale nuk ka arritur deri më tani: t’i japë fund sulmit rus të Ukrainës.
Shtëpia e Bardhë e pranon se ky udhëtim i shpejtë, synon të arrijë shumë, në shumë pak kohë. Ai fillon me një takim të NATO-s për Rusinë të enjten.
“Presidenti do të ripohojë angazhimin tonë të hekurt ndaj aleatëve të NATO-s për të mbrojtur çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s. Më pas ai do të marrë pjesë në një takim të planifikuar të Këshillit Evropian për të diskutuar shqetësimet tona të përbashkëta në lidhje me Ukrainën, duke përfshirë përpjekjet transatlantike për të vendosur sanksione ekonomike ndaj Rusisë, për të ofruar mbështetje humanitare për ata që janë prekur nga dhuna dhe për të adresuar sfida të tjera që lidhen me konfliktin. Më vonë gjatë ditës, ai do të marrë pjesë në takimin e G7 të thirrur nga Gjermania, për të diskutuar më tej me aleatët dhe partnerët tanë sanksionet që ne kemi vendosur ndaj Rusisë për luftën që ka filluar”, tha sekretarja e shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.
Përveç vendosjes së sanksioneve të rrepta kundër Rusisë, Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Ukrainës 13.6 miliardë dollarë ndihma ushtarake dhe humanitare.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy i ka kërkuar me ngut Shteteve të Bashkuara, por pa sukses, që të krijojnë një zonë të ndaluar fluturimi mbi vendin e tij.
Ai ka paralajmëruar vazhdimisht se Putini nuk do të ndalet në Ukrainë. Një sulm i fundit rus me raketa në qytetin perëndimor të Lvivit, goditi vetëm 80 kilometra nga kufiri polak.
“Më pas do të jetë Letonia, Lituania, Estonia, Moldavia, Gjeorgjia, Polonia. Ata do të vazhdojnë derisa të arrijnë Murin e Berlinit”, tha presidenti Zelensky.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken vizitoi së fundmi vendet baltike për të dëgjuar shqetësimet e tyre.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i mbrojtjes i Letonisë i tha Zërit të Amerikës se anëtarët e NATO-s pranë Ukrainës duan të shohin disa ndryshime thelbësore.
“Në thelb, ne kemi nevojë për një lloj tjetër pranie pararojë për të gjitha vendet duke filluar nga jugu i Turqisë deri në veri të Baltikut. Gjithashtu strategjia jonë, filozofia jonë e mbrojtjes së aleancës, duhet të përcaktohet në një mënyrë tjetër”, tha zoti Artis Pabriks.
Ministri i Jashtëm i Letonisë i tha Zërit të Amerikës se Evropa Lindore nuk sheh një fund të shpejtë të bisedimeve mes Ukrainës dhe Rusisë.
“Qëndrimi ynë është se Ukraina është qartësisht vendi që duhet të vendosë se çfarë lloj marrëveshjeje dëshiron: pa afate, pa e shtyrë Ukrainën. Ne duhet ta ndihmojmë Ukrainën të mbrojë sovranitetin e saj, të mos përpiqemi të imponojmë asnjë lloj marrëveshje që nuk do të ishte në interesin më të mirë të Ukrainës. Pra, nga ky këndvështrim, nuk dua të jem më tepër optimist, apo pesimist, dua të jem realist. Mendoj se mund të marrë pak kohë”, tha zoti Edgars Rinkēvičs.
Por analistët ngrenë pikëpyetje nëse ka kuptim që NATO-ja dhe të tjerët të zhvillojnë diskutime pa Ukrainën, apo Rusinë në tryezë.
“Kam frikë se nuk shoh asnjë mundësi për ndonjë lloj rezolute që të pranohej nga vendet e NATO-s, Ukraina dhe Rusia. Arsyeja për këtë është se objektivi kryesor i Rusisë është të sigurojë që Ukraina të mos jetë një vend i orientuar nga perëndimi. Dhe nëse ky është objektivi i saj dhe ambicia kryesore e Ukrainës, si të thuash, është të jetë më perëndimore, atëherë NATO-ja nuk mund të bëjë asgjë për ta zgjidhur këtë”, thotë James Nixey me organizatën Chatham House.
Nga Brukseli, presidenti Biden do të shkojë në kryeqytetin e Polonisë, të premten. Ndërsa, më pak se 1000 kilometra larg, Ukraina ndodhet nën flakë./voa