Çmimi i naftës në Shqipëri nuk do ndryshojë deri te premten, edhe pse në bursa ka pësuar ulje me rreth 6%. Fiksimi i çmimeve nuk po i kënaq qytetarët, të cilët lajmërojnë protestë masive këtë të martë. Një litër naftë do të blihet në pikat e karburanteve për 245 lekë deri më 1 prill.
Vendimi i bordit të ngritur nga qeveria, është i pakthyeshëm që nga e shtuna, edhe pse në tregun ndërkombëtar çmimi për fuçi ka rënë 6 % këtë të hënë. Pra, qeveria del nga angazhimi për të kontrolluar abuzimin me marzhin minimal të fitimit. Në këtë mënyrë ajo po luan lotari, e cila është pranuar edhe nga furnitorët e naftës për të shitur mbi marzhin e përcaktuar ose për të dalë më humbje në rastin më të keq.
Bursa e nisi javën me trend në rënie, por kjo nuk i kënaq qytetarët e as bizneset. Ata do të vazhdojnë të blejnë shtrenjtë, duke iu nënshtruar çmimit të transparencës. Pra, ngritja e komisionit të çmimeve, nuk ka sjellë lehtësim në treg. Kjo shihet në krahasim edhe me vendet e rajonit, ku vendi ynë kryeson me naftën e shtrenjtë.
Pakënaqësitë në rritje për shtrenjtimin e çmimeve, po rikthejnë sërish qytetarët në shesh. Ata lajmërojnë për një protestë masive pasditen e 29 marsit përballë kryeministrisë./ Burimi Euronews