Bizneset e rrugës “Myslym Shyri”, një prej zonave tregtare më të njohura të Tiranës, i ngritën një sërë shqetësimesh ish –deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.
Ata thonë se ndihen të braktisur nga qeveria e Edi Ramës. Pronarët e bizneseve shprehen se jo vetëm nuk kanë marrë ndihmën që duhej pas goditjes nga kriza që shkaktoi pandemia, por rëndohen me taksa e me kontrolle tatimore e shtetërore të pafundme, burokraci të cilat vetëm e pengojnë punën e tyre.
Ish –deputetja Tabaku tha se zgjidhja për të gjitha këto probleme të krijuara në 8 vjet qeverisje të Edi Ramës është programi i Partisë Demokratike. Ky program, tha zonja Tabaku, parashikon çlirimin e biznesit nga barra e taksave dhe kontrolleve të inspektoriateve dhe krijimin e lehtësive të tjera fiksale e shtetërore me qëllim zhvillimin e biznesit dhe rritjen e punësimit në këtë sektor.
“Qeveria nuk e mbështeti ekonominë, i rriti energjinë, ka rritur taksat pothuajse 3 miliard në tetë vite dhe ky problem ka krijuar një ngërç që edhe produktet e tuaja, që nuk janë shumë të shtrenjta, shtresa e mesme e ka të pamundur t’i blejë”, u shpreh ish –deputetja Tabaku.