Banka Kombëtare Tregtare në Shqipëri, vijon të ketë probleme me ofrimin e shërbimeve për klientët e saj. Sot, gjatë mëngjesit janë bërë radhë të gjata pranë sporteleve të kësaj banke në Tiranë.
Qytetarët ankohen se nuk tërheqin dot pagat e muajit nëpërmjet automateve të BKT-së dhe janë të detyruar të presin në radhë të gjata, për të mbaruar punë pranë sporteleve të bankës.
Fotot e mëposhtme janë realizuar nga newsbomb.al, pranë degës së BKT-së tek rruga Myslym Shyri në Tiranë, ku radhët e gjata të qytetarëve kanë pushtuar trotuarin.
Sipas qytetarëve, banka punon vetëm me një sportel dhe vetëm një person në një 1 orë arrin të mbarojë punë. BKT-ja prej disa ditësh ka probleme me ofrimin e shërbimeve të saj. Në datë 3 gusht u njoftua se kishte pasur probleme me serverin dhe u ndërprenë shërbimet për klientët.
Por, prej dy ditësh kjo bankë ka njoftuar se problemi është rregulluar, por në fakt qytetarët vijojnë të kenë ankesa se nuk po marrin shërbimet.