Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, ka bërë me dije se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, është miratuar bashkëpunimi me qeverinë suedeze, ndërsa shtoi se qëllimi kryesor është të forcohet forca ndëshkuese për shkelësit e qarkullimit rrugor.
Për këtë arsye, do të merren rreth 110 smartphone dhe print për efektivët si dhe 6 radarë që do të punojnë ditë e natë për të evidentuar çdo shkelje në qarkullimin rrugor.
Çuçi: “Sot miratuam vazhdimin e bashkëpunimit me qeverinë suedeze, e cila ka vite që asiston në Policinë e Shtetit, kryesisht në forcimin e policimit në komunitet dhe në fazën e parë kemi ndërtuar në të gjithë Shqipërinë zyrat për marrëdhënie me publikun duke tentuar ta kthejmë policinë në një zyrë shërbimi dhe sa më pranë qytetarëve. Kemi forcuar strukturat e inspektorëve të policimit në komunitet, ndërsa në fazën e dytë do ia fokusojmë sigurisë rrugore, duke vijuar të gjithë këto struktura që kemi ngritur në marrëdhënie të policisë së shtetit me qytetarët dhe me bashkëpunimin me qeverisje vendore.
Qëllimi kryesor është që të forcojmë forcën ndëshkuese me të gjithë shkelësit e qarkullimit rrugor, një nga prioritetet tona dhe fokusi është shkëputja apo mënjanimi i çdo subjektivzimi që vjen nga marrëdhënia e punonjësve të policisë me shkelësin duke futur teknologjinë. Me këtë projekt do të marrim rreth 110 smartphone që do të jenë në duart e policisë në qarkullim të cilat janë çift me printin përkatës dhe menjëherë kur evidentohet shkelja do të emetohet dhe gjoba duke ia vënë në prezencë shkelësit. Apo blerjen e 6 radarëve të cilët punojnë ditë natë dhe evidentojnë çdo shkelje që lidhet kryesisht me shpejtësinë në qarkullim dhe automatikisht për çdo shkelje e çon informacionin dhe vë gjobën në qendër operative, pa patur nevojë që të negociojë shkelësi me punonjësin e policisë”.
Pjesë e këtij program do të jetë dhe harmonizimi i database në mënyrë që sistemi i gjenerimit të gjobës në mënyrë elektronike të funksionojë sa më mirë për të gjithë llojet e shkeljeve.