Rreth 100 blegtorë kanë bllokuar rrugën nacionale Kardhiq -Delvinë. Ata kërkojnë të merren parasysh kërkesat e tyre shumëvjeçare mbi problematikën e sektorit të lidhura me çmimet e produkteve blegtorale, mungesën e subvencioneve, kufizimin e kullotave.
Blegtorët janë shprehur se po bllokojnë rrugën në shenjë proteste, ndërsa kërkojë takim me zyrtarë të qeverisë për të adresuar shqetësimet e tyre.
“Në shenjë proteste bllokojmë rrugën që ta kuptojnë të gjithë. Ne jemi njerëz, të vijnë e të na takojnë. Mos të rrinë në zyrat luksoze që i kanë mobiluar me paratë që BE-ja jep për ne dhe i kanë kthyer në ofiqet e tyre. Të vijnë të na takojnë, jemi njerëz, jetojmë në këtë vend, i japim të ardhura këtij vendi”, tha një protestues.
“Kam 150 dhen, për ta kam harxhuar 15 milionë lekë. Të ulë çmimet ose ta bëjë qumështin 2 mijë lekë se tre kile qumësht i thonë 3 kile djathë. Baxhoxhiu e shet kile e djathit me 13 mijë lekë. Nëse ai e shet me 8 mijë lekë, jemi dakord ne. Tjetri rri në mal dhe vuan si qeni, dhe tallin b…, ç’është kjo, I lutemi shtetit të marrë masa për këto punë, ose dhentë do shiten dhe do ikim jashtë shtetit”, tha një blegtor.