Moderatori Blendi Fevziu është shprehur mbrëmjen e sotme se kryedemokrati Lulzim Basha nuk di të fitojë zgjedhje.
Ai tha në Klan Neëw se basti i madh i Bashës ishin zgjedhjet e 25 Prillit, por pavarësisht koalicionit të gjerë dhe mbështetjes së Berishës, sërish humbi duke i mundësuar Partisë Socialiste mandatin e tretë.
“Ka një gjë shumë të thjeshtë. Unë nuk kam surprizë në rezultatet e bashkive të tjera. Mendoj që një mundësi z.Berisha të fitojë Shkodrën por duhet parë sa do të jetë përqindja e atyre që do të marrë Basha sepse sa më e lartë të jetë kjo përqindje aq më shumë u rritet mundësia socialistëve që të fitojnë bashkinë.
Problemi është shumë i thjeshtë, ka një problem Partia Demokratike, jo opozita shqiptare. Lulzim Basha nuk fiton zgjedhje. Ishte basti i vetëm dhe beteja e vërtetë e Lulzim Bashës ishte beteja e 25 Prillit. Ai ishte lideri i një opozite të bashkuar ku kishte brenda z.Berisha si mbështetës të tij brenda partisë, LSI, të gjitha partitë e tjera aleate dhe me një koalicion të tillë ai nuk arriti të mundte Ramën, madje as ta kondiciononte Ramën. Rama fitoi mbi 70 mandate i vetëm”, tha Fevziu.
Sipas tij, njeriu ka kurajo, ndaj vjen një moment që thotë se nuk mund të vazhdojë më, teksa shtoi se kryedemokrati duhet të largohet pasi është si një thikë pas shpine për opozitarizmin.
“Njeriu ka një kurajo. Vjen një moment që thotë unë deri këtu nuk vazhdoj dot më. Çdolloj karriere të kesh ti moj zonjë ose ti mor zotëri në qoftë se e sheh që ti je një thikë pas shpine për opozitarizmin shqiptar, ti largohesh”, u shpreh Blendi Fevziu.