Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka anuluar takimin që kishte planifikuar për nesër me Ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov në Gjenevë.
Ai deklaroi se ky takim është anuluar pasi shenjat e fundit tregojnë se rrugët diplomatike me Rusinë mbi Ukrainën po mbyllen.
“Tani që shohim se pushtimi po fillon dhe Rusia e ka bërë të qartë refuzimin e saj të plotë të diplomacisë, nuk ka kuptim të vazhdohet me atë takim në këtë moment. Unë u konsultova me aleatët dhe partnerët tanë dhe të gjithë pajtohen me këtë mendim,” tha Blinken në Departamentin e Shtetit.
Njoftimi i Blinken vjen dy ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin njohu dy rajone separatiste në Ukrainë si të pavarura dhe njoftoi se do të vendoste forca “paqeruajtëse” atje. Presidenti i SHBA Joe Biden dhe zyrtarë të lartë amerikanë thanë të martën se lëvizjet e Putinit shënuan fillimin e një pushtimi të ri rus të Ukrainës dhe Biden njoftoi një këst të parë të sanksioneve në përgjigje.