Sot në Shkup ka pasur alarme për bomba në dy shkolla të Shkupit. Sipas burimeve nga mediat vendase, raportohet se njëra nga shkollat është Gjimnazi “Josip Broz Tito”.
Nga Ministria për Punë të Brendshme në Maqedoninë e Veriut njoftojnë se janë ndërmarr të gjitha masat për evakuimin e sigurt të nxënësve dhe stafit të shkollës dhe po bëhen kontrollet e nevojshme nga anti-terrori.
“Po merren masa për zbardhjen e plotë të rastit”, njoftojnë nga MPB-ja.
Ndërkohë lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Kovaçevski tha se kërcënimet janë pjesë e një strategjie për sulme hibride, ndaj të cilave janë të ekspozuara edhe vendet e rajonit dhe më gjerë.
“Ajo që po ndodh është pjesë e asaj strategjie për sulme hibride. Duhet të jemi të vetëdijshëm që Ministria e Punëve të Brendshme duhet të ndërhyjë kur ka kërcënime të tilla sepse bëhet fjalë për shkolla dhe jo rastësisht autorët e tyre synojnë shkollat sepse njerëzit janë më të ndjeshëm kur bëhet fjalë për shkollat sepse në ato shkolla mësojnë fëmijët tanë… Shpresoj se ata që e bëjnë këtë do të kuptojnë se Evropa duhet të jetojë në paqe dhe jo në frikë dhe pasiguri”, ka deklaruar Kovaçevaki.
Në periudhën mes 26 tetorit dhe 3 nëntorit, 15 shkolla të mesme të Shkupit kanë marrë e-maile për vendosje të bombave në objektet e tyre, por që kanë rezultuar të jenë të rreme.