Familjet e prekura nga fatkeqësia natyrore e ngjarjes së 26 nëntorit të vitit 2019-të, do të marrin të plotë bonusin e qirasë për gjithë vitin 2021.
Vendimi u mor në Këshillin Bashkiak. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj bëri me dije se deri më tani, janë likuiduar 7580 pagesa kesh DS1, DS2, DS3, ndërsa vijohet ende, teksa njësitë sjellin procesverbalet e tyre, për ata që kanë zgjedhur të marrin pagesën kesh dhe jo rindërtimin nga Bashkia e Tiranës.
“Të gjitha familjet që janë sot me bonus qiraje, me këtë vendim do ta marrin bonusin e qirasë gjatë gjithë vitit. Pra, nuk ka nevojë të mblidhemi çdo muaj, por vendosim sot për të gjithë pjesën e mbetur të vitit. Sigurisht, bonusi i qirasë ndërpritet në momentin kur familjari do të marrë shtëpinë e re sepse kemi një mundësi për t’i përdorur paratë për ata që ende kanë nevojë, ndërkohë që kemi zgjidhur hallin e dikujt që është futur në shtëpinë e re”, kështu u shpreh Veliaj.