Borchard: Shoqëria shqiptare ka nevojë për zgjidhje konkrete në fushën e respektimit të të drejtave të njeriut

0
18
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Drejtuesit e tri institucioneve të të drejtave të njeriut, Avokati i Popullit, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi, të shoqëruar nga një udhëzues konkret për këtë bashkëpunim.

Hartimi i marrëveshjes dhe i udhëzuesit u mundësua nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, e cila, përgjatë këtij viti, ka punuar për të forcuar bashkëpunimin e institucioneve kombëtare në fushën e të drejtave të njeriut.

Duke folur në hapje të takimit, Kryetari i Prezencës, ambasadori Borchardt tha se shpresonte që, me nënshkrimin e marrëveshjes, këto tri institucione do të ndërmarrin veprime më të fuqishme në përkrahje të të drejtave të njeriut në Shqipëri. Ai u ndal në aspektin e të drejtave të njeriut në çështje si diskriminimi, shfrytëzimi dhe abuzimi, ekstremizmi i dhunshëm dhe migracioni i jashtëligjshëm dhe tha se, megjithëse në shumë nga këto fusha është miratuar legjislacion i ri në mbështetje të të drejtave të njeriut, mekanizmat institucionalë të sapokrijuar kanë nevojë për mbështetje të mëtejshme për të qenë më efikas me zbatimin e ligjit.

“Shoqëria shqiptare ka nevojë për zgjidhje konkrete në fushën e respektimit të të drejtave të njeriut, dhe këto të drejta duhet të vihen në vend sa herë që shkelen. Në këtë drejtim, ne nxisim shkëmbimin e praktikave të mira ndërmjet zyrave tuaja dhe mbështesim bashkëpunimin tuaj në rritje. Roli juaj i përbashkët është të ruani dhe të mbroni të drejtat e njeriut të të gjithë qytetarëve dhe ne shpresojmë që udhëzuesi i bashkëpunimit do t’ju ndihmojë ta realizoni këtë qëllim,” tha Borchardt.

 

Zjarr Tv Ad