Një ditë pas vendosjes së çmimit rekord të naftës, i cili shitej me 265 lekë për litër, Bordi i Transparencës ka bërë publike çmimet e reja për karburantet.
Përmes një njoftimi, Bordi ka bërë të ditur se duke nisur nga sot nafta do të shitet me 261 lekë për litër, duke e ulur kështu çmimin e saj me 4 lekë. Benzina do të shitet me 236 lekë për litër, nga 241 lekë që shitej nga dje. Ndërsa çmimi i gazit mbetet i pandryshuar dhe do të vijojë të shitet me 86 lekë për litër.
Çmimet e vendosura sot nga Bordi i Transparencës do të hyjnë në fuqi sot në ora 18:00.
Bordi i Transparencës në datë 18 Qershor 2022, në mbledhjen e radhës vendosi:
“Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë 261 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë 249 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë 236 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë 224 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 86 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 74 lekë/litër për automjetet.
(Shënim: çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do të jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën). Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 18 Qershor ora 18.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi. Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë“,-thuhet në njoftimin e Bordit të Transparencës.