Boris Xhonson pritet të shpallet të martën kryeministri i ardhshëm i Britanisë së Madhe.

0
18
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Votat e 160 mijë anëtarëve të partisë për të dhe rivalin Xheremi Hant do të dorëzohen të hënën në orën 17.

Sondazhet tregojnë se në garën për kreun e Partisë Konservatore angleze, 55-vjeçari Xhonson mbetet favoriti, ndërsa shanset që të fitojë kundërshtari i tij janë vetëm 1 në 15.

Dy rivalët prej më shumë se një muaji kanë bërë të qarta qëndrimet e tyre për çështjen më urgjente me të cilën përballet vendi, që është shkëputja nga Bashkimi Europian më 31 tetor.

Xhonson, i cilësuar si Donald Trampi britanik, ka premtuar të realizojë Brekzit në datën e përcaktuar me ose pa një marrëveshje të re me Brukselin.

Personaliteti i tij i prerë ka krijuar armiq brenda qeverisë, dhe ministrat aktualë të drejtësisë dhe financave, dhe disa deputetë konservatorë kanë paralajmëruar largimin madje edhe rrëzimin e qeverisë nëse ai zgjidhet kryetar.

Ndërsa një grup qytetarësh proeuropianë e shprehën të shtunën revoltën e tyre kundër Xhonson me anë të një protestë-marshimi në rrugët e Londrës.

Organizatorët fluturuan edhe një balonë-karikaturë të ish-kryediplomatit, me mbishkrimin 350 milionë paund si referencë ndaj deklaratës së tij se dalja nga BE do i kursente vendit miliona paund të ardhura.

Emri i kryeministrit të ri britanik do të bëhet i njohur të martën, dhe një ditë më pas, kryetarja në largim Tereza Mej do paraqesë dorëheqjen te mbretëresha Elizabeta e Dytë.

 

Zjarr Tv Ad