Bosnje Hercegovina kryen seancën e parë stërvitore në tokën shqiptare. Pas mbërritjes në Tiranë, skuadra e drejtuar nga trajneri Mehmed Bazdarevic zbriti në stadiumin “Selman Stermasi” për seancën stërvitore të ditës së parë. Nën drejtimin e trajnerit ishte vetëm një pjesë e skuadrës që vetëm disa orë më parë luajti kundër Gjibraltarit për sfidën eliminatore të Grupit H. 19 ishte numri i lojtarëve që zbritën në fushën e stadiumit kryeqytetas ku ra në sy mungesa e yllit të skuadrës Mirelem Pjanic. Mesfushori i Juventusit nuk do të jetë pjesë e kombëtares së Bosnje Hercegovinës për sfidën e së Martës, por pavarësisht mungesës së tij, skuadra e Bazdarevic ka elementë shumë cilësorë në gjirin e saj dhe njëri prej tyre është Edin Dzeko.
Sulmuesi i Romës por edhe mesfushori i Lazios, Senad Lulic, portieri i Chelseat, Asmir Begovic dhe mbrojtësi i Atalantës, Zukanovic, janë vetëm disa nga emrat më të rëndësishëm të kësaj skuadre që aktualisht mban vendin e tretë në grupin H me vetëm 3 pikë me pak se Belgjika kryesuese. Stëvitja e Bosnjes në tokën shqiptare u fokusua kryesisht te ushtrimet shkrydhëse për shkak të ngarkesës së marrë gjatë sfidës eliminatore vetëm një ditë më parë, ndërsa të Hënën, trajneri Bazdarevic do të punojë me detajet e fundit teknike dhe taktike për të përgatur duelin ndaj kuqezinjve të Martën në Elbasan.