Braverman bën gati ligjin: Ndalim i plotë i azilit për shqiptarët! OKB: Shkelje e Konventës për Refugjatët

0
120
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ministrja e Brendshme britanike, Suella Braverman po përgatit një ligj të ri që ka për qëllim të vendosë ndalimin e plotë të azilit për shqiptarët.

Sipas planeve për të trajtuar atë që qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e përshkruan si një “krizë emigrantësh”, ajo thuhet se po harton legjislacionin që do ta bëjë më të lehtë refuzimin dhe dëbimin automatik të azilkërkuesve nga vende të konsideruara “të sigurta” pavarësisht nëse pretendimet e tyre janë apo jo “të pabaza”.

Ekspertët thanë se ky ligj është projektuar kryesisht për të synuar emigrantët shqiptarë. Më shumë se 12,000 shqiptarë kanë mbërritur në Britaninë e madhe me varka këtë vit, çka është rreth një e katërta e të gjitha kalimeve të paligjshme përmes Kanalit.

Sipas legjislacionit të ri, thuhet në raport, vendet do të përcaktohen si “të sigurta” bazuar në rregullat që zbatohen tashmë për një “listë të bardhë” ekzistuese të Home Office. Kjo listë duhet të përditësohet duke qenë se aktualisht përfshin Ukrainën dhe Braverman do të kishte fuqinë për të shtuar ose hequr vende të tjera, raporton The Times.

“Lista e bardhë” shihet nga vëzhguesit si një mekanizëm për të lejuar qeverinë britanike të synojë emigrantët shqiptarë, duke shmangur të bie në kundërshtim me çdo ligj duke veçuar një kombësi të vetme.

Autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar pritet gjithashtu të përdorin një listë të dytë të “përcaktimit të pjesshëm” që deklaron se disa vende janë “të sigurta” për burrat, por jo për gratë dhe fëmijët, si Gana, Nigeria, Gambia, Kenia, Liberia, Malaëi, Mali dhe Sierra Leone.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët i ka dënuar propozimet, duke paralajmëruar se ato do të shkelin detyrimet ndërkombëtare të Mbretërisë së Bashkuar sipas Konventës së Refugjatëve të vitit 1951.

“Çdokush ka të drejtë të kërkojë azil nga persekutimi në një vend tjetër dhe nuk ekziston një gjë e tillë si ‘azilkërkues i paligjshëm’,” tha përfaqësuesja e UNHCR-së në MB, Vicky Tennant.

“Ndalimi i pacaktuar i atyre që kërkojnë azil, bazuar vetëm në mënyrën e tyre të mbërritjes, do të ndëshkonte njerëzit që kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje dhe do të përbënte një shkelje të qartë të detyrimeve të Mbretërisë së Bashkuar sipas Konventës së Refugjatëve të vitit 1951.”

Zjarr Tv Ad