Briken Calja rikonfirmon pozicionin në kontinent

0
5

Edhe një herë tjetër, Briken Calja tregoi që është një sportist i nivelit shumë të lartë. Pasi fitoi medaljet e trefishta në Rumani, tani është sërish Kampion Europe në shkëputje dhe nënkampion në dygarësh, duke u konfirmuar si një sportist i nivelit të lartë europian.
Njëmedalje ari dhe dy argjendi natyrisht nuk janë pak në një vend ku vetëm sporti nuk është prioritet. Calja tregoi edhe njëherë grintë, seriozitet dhe përkushtim, duke ngritur sportin shqiptar në majë të Europës. Djali i thjeshtë, që e nisi karrierën në fshatin Shtërmen, vazhdon të befasojë me performancat e tij Europiane dhe Botërore.

Edhe në garën e fundit, për sa pak nuk u shpall kampion në dygarësh, që do të ishte një mrekulli me vete. Ai i ka hapur rrugën ekipit që do të garojë këtë ditë, duke i dhënë moralin e duhur për garat e vështira. Gjithsesi, problemet për Calja nuk mungojnë, ku nga shpërblimi i premtuar në Rumani ka marrë vetëm gjysmën e shumës së premtuar.
Me medaljen e djeshme, Calja konfirmohet si një sportist i nivelit botëror, që pa dyshim është një rol model për ata që e duan sportin e bukur të peshëngritjes. Calja i dhuroi sërish shumë vendit, më shumë se ata që vetëm paguajnë dhe nuk bëjnë asgjë.