Bruksel, votohet Protokolli i anëtarësimit të Maqedonisë në NATO

0
5

Vendet anëtare të NATO-s sot në Bruksel pritet të nënshkruajnë Protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë në Aleancë, më pas Kuvendet nacionale të vendeve anëtare duhet ta ratifikojnë protokollin dhe Maqedonia do të marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e NATO-s.

Siç njoftoi Ministria e Punëve të Jashtme, në ftesën e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ministri Dimitrov, sot, me 6 shkurt, do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit me rastin e nënshkrimit të protokollit për anëtarësim të Maqedonisë në NATO, që do të mbahet në selinë e NATO-s në Bruksel.

“Në mbledhjen në të cilën është parashikuar edhe fjalim i ministrit Dimitrov, 29 vendet anëtare, të përfaqësuara nga përfaqësuesit e tyre në NATO, do ta nënshkruajnë protokollin qasës për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO”, njoftuan nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Kryetari i Kuvendit të Greqisë, Nikos Vucis njoftoi se Protokolli të enjten do të dorëzohet dhe do ta shqyrtojë Komisioni kompetent për mbrojtje nacionale dhe punë të jashtme në Kuvendin e Greqisë, ndërsa të premten do të gjendet para deputetëve grek në seancë plenare, më pas do jetë votimi, njofton MIA nga Athina. Me këtë, Greqia do të jetë vendi i parë që do ta votojë. Është parashikuar që komisioni dhe seanca plenare të zgjasin nga një ditë.

Që të votohet protokolli, janë të nevojshme 151 vota, ndërsa pritet që të gjithë deputetët që votuan për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, ta përkrahin anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.