Brukseli drejt vendimit drastik, pezullon 7.5 miliardë euro fonde për Hungarinë. Një nga shkaqet, korrupsioni në dhënien e tenderave publike

0
29
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Brukseli ka deklaruar se po konsideron që të mos ofrojë 7.5 miliardë euro nga financimet e planifikuara për Hungarinë, si rrjedhojë e shkeljeve në sundimin e ligjit që përfshijnë korrupsionin në dhënien e tenderave publike.

Kjo lëvizje e Komisionit Europian vjen pas mungesës së përparimit nga Budapesti për të adresuar shqetësimet e zyrtarëve të BE-së.

Komisioni Europian rekomandoi të dielën që shtetet anëtare duhet të votojnë për të pezulluar rreth një të tretën e financimeve të kohezionit për Hungarinë, të cilat jepen për vendet më pak të zhvilluara ekonomikisht të BE-së.

Budapesti do të marrë 22 miliardë euro në formën e fondeve të kohezionit gjatë raundit aktual të shpenzimeve të buxhetit të BE-së, i cili zgjat deri në vitin 2027. Gjithashtu, ky vend po kërkon të zhbllokojë edhe 7 miliardë euro të tjera në formën e granteve, si dhe miliarda euro më shumë në formën e kredive nga fondi i BE-së për rimëkëmbjen pas Covid-19, për të cilin komisioni tha se mund të ndikohej nëse Hungaria nuk adreson problemet me sundimin e ligjit.

Vendimi për të mos alokuar fondet duhet të miratohet nga shumica e vendeve anëtare të BE-së, me përjashtim të Hungarisë, brenda një muaji, por afati mund të zgjatet edhe për dy muaj të tjerë “në rrethana të jashtëzakonshme”, deklaroi komisioni.

Johannes Hahn, komisioneri i buxhetit të BE-së, tha të dielën se këto masa ishin menduar për të trajtuar ato që Brukseli i sheh si rreziqe për procedurat buxhetore të bllokut, të cilat rezultojnë nga mungesa e transparencës së Budapestit në dhënien e tenderave publike, përpjekjet e pamjaftueshme të Hungarisë për të adresuar korrupsionin, si dhe mungesën e ndjekjes penale të atyre që kanë keqpërdorur fondet europiane.

“Objektivi ynë përfundimtar nëpërmjet këtij mekanizmi është që buxheti të mos jetë më në rrezik. Shpresojmë që ta arrijmë këtë sa më shpejt të jetë e mundur përmes reformave të duhura në Hungari”, tha Hahn.

Rreth 50 përqind e kontratave të prokurimit publik të dhëna në Hungari kanë vetëm një kompani pjesëmarrëse në tender, tha komisioni.

Hahn vuri në dukje se, në muajin gusht, Hungaria propozoi 17 mënyra për të rregulluar këto probleme, duke përfshirë krijimin e një “autoriteti të pavarur të integritetit”, i cili u mirëprit nga komisioneri.

Por, ai tha: “Për t’i konsideruar këto masa korrigjuese si të përshtatshme, komisioni duhet të jetë në gjendje të arrijë në përfundimin se ato do t’i japin fund rreziqeve për buxhetin e unionit dhe për interesat financiare të BE-së.”

Tibor Navracsics, ministër i çështjeve europiane dhe një nga aleatët kryesorë të kryeministrit Viktor Orbán, tha për gazetarët të dielën se këto 17 ndryshime do të paraqiten në parlament javën e ardhshme.

“Gjëja e fundit që dëshiron qeveria, është që të mos respektojë angazhimet e saj,” tha ai. “Qeveria nuk synon t’ia hedhë komisionit, i cili pret që të përmbushen detyrimet. Ne do të respektojmë angazhimet tona, në mënyrë që të mos ketë fonde të humbura.”

Budapesti planifikon të formojë një grup pune kundër korrupsionit, të zgjerojë qëllimin dhe kontrollin e deklaratave të pasurisë, si dhe të shtojë mënyrat për të ndjekur penalisht krimet që përfshijnë fondet publike.

Pezullimi i fondeve që u propozua të dielën, vjen pas disa muajsh bisedime me qeverinë e Orbán-it për shkeljet në sundimin e ligjit të cilat u identifikuan fillimisht nga Brukseli në prill të këtij viti. Shuma prej 7.5 miliardë euro përbën 65 për qind të parave të alokuara nga tre mënyrat e financimit të kohezionit. Në një dokument të brendshëm të muajit korrik, Hahn propozoi që të pezullohej 70 për qind e financimit nga këto programe.

Zyrtarët në Bruksel kanë qenë të prirur të nënvizojnë faktin se aplikimi i Hungarisë për marrjen e parave nga fondi i rimëkëmbjes është i pavarur nga pezullimi i fondeve të kohezionit. Megjithatë, nëse Budapesti nuk ndërmerr ndryshime të dukshme për të adresuar korrupsionin, edhe aplikimi për fondin e rimëkëmbjes mund të pengohet.

Daniel Freund, negociator për Grupin e Gjelbër të Parlamentit Europian për çështjet buxhetore, tha se “ajo që Komisioni i BE-së po e shet si një sukses, është më pak mbresëlënëse nëse shihet më me kujdes” duke qenë se Hungaria do të vazhdojë të marrë pjesën më të madhe të fondeve nga BE. “Është fatale që Viktor Orbán mund të vazhdojë t’i shmangë këto sanksione përpara fundit të vitit, nëpërmjet disa pseudo-reformave,” shtoi ai.

Hungaria ka provokuar gjithashtu zemërimin e kryeqyteteve të tjera të BE-së, për faktin se vazhdon angazhimet e saj me Rusinë për të siguruar furnizimet me gaz, pavarësisht përpjekjeve të BE-së për të sanksionuar Moskën pas pushtimit të Ukrainës. Budapesti i ka kritikuar sanksionet perëndimore si kundërproduktive.

Hahn tha se komisioni do t’i “kërkonte me mirësjellje” këshillit që të zgjasë periudhën njëmujore që lejohet për Hungarinë për të provuar se po bën përparime, duke e ҫuar atë në “maksimumin e mundshëm”. Kjo periudhë maksimale do t’i jepte kohë Hungarisë deri më 19 nëntor për të ndryshuar ligjet e nevojshme, në mënyrë që të përmbushë kërkesat e BE-së.

Budapesti do të bëjë të gjitha ndryshimet e nevojshme dhe do të informojë komisionin deri më 19 nëntor, tha Navracsics.

Budapesti ka thënë se do të paraqesë një sërë ligjesh të reja për të adresuar shqetësimet e komisionit këtë javë./ Financial Times-MONITOR

Zjarr Tv Ad