Bulevardi i ri, Rama: Në drejtimin e duhur falë votës. Veliaj: Festë për ringritjen e Tiranës

0
1232
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryeministri Edi Rama bashkë me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, vendosën sot pllakën e parë për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës.

Kreu i qeverisë deklaroi se shumë rëndom dëgjohet se vota nuk ka rëndësi dhe njerëzit bëjnë gabimin e madh të mendojnë se pavarësisht nëse votojnë apo nuk votojnë, në fund të ditës asgjë nuk ndryshon se të gjithë janë njësoj.

“Këtu jemi në truallin që dëshmon punën e bërë  nëse vota shkon në drejtimin e duhur apo të gabuar. Tirana mund ta kishte pasur bulevardin dhe sheshin ‘Skënderbej’ sot dhe se mund të mos ishte në vitin 2017 një kryeqytet që ende nuk ka arritur të mishërojë një vizion të 87 viteve më parë kur dy arkitekt të thirrur nga mbreti Zog projektuan këtë projekt fantastik. Por ja që për shkak të votës gjërat nuk shkuan ashtu siç do duhet të shkonin dhe për shkak të votës Tirana humbi vite u përpëlit në një kurth pa kuptim dhe faktikisht u tërhoq zvarrë dhe po për shkak të votës”, u shpreh Rama.

Në vijim shtoi se, Tirana jo vetëm është një vend në lëvizje, por lëviz me një shpejtësi të re që nuk e ka pasur asnjëherë, falë lidershipit të kryebashkiakut dhe gjithë njerëzve që punojnë me bashkinë, apo për bashkinë dhe që lidhet me këtë energji të jashtëzakonshme të re.

Rama nënvizoi ndër të tjera se falë votës në drejtimin e duhur Tirana do ketë më në fund bulevardin e vetë dhe sheshin e vetë.

Për kreun e qeverisë, është absurde se Tirana është i vetmi kryeqytet pa shesh në Europë dhe i vetmi qytet në Shqipëri që po ndërton më në fund sheshin e vetë.

Në këtë drejtim tha se me votë njerëzit votojnë për shumë më tepër nga ajo që duket në pikëpamjen e parë.

Sipas tij, ky bulevard dhe këto vepra nuk u shërbejnë vetëm atyre që i përdorin por një zhvillimi shimë më të madh ekonomik dhe social.

Kryeministri u shpreh se bulevardi i ri lidh Tiranën e sotme me Tiranën e gjeneratës tjetër. “Ky është një privilegj shumë i madh dhe sigurisht është edhe një përkëdhelje, pse mos ta them, i sedrës time si ish-kryetar bashkie, që bëra sa munda, jo aq sa desha, për të çelur pikërisht rrugën që lidh të sotmen me të ardhmen, rrugën që lidh qytetin që kemi me qytetin që duam, rrugën që lidh atë që kemi trashëguar nga të parët tanë, me atë që kemi detyrim t’u lëmë fëmijëve tanë”, tha Rama.

Nga ana e tij Veliaj tha se sot është një moment për të festuar ringritjen e Tiranës.

Kryebashkiaku u shpreh i kënaqur për faktin që projekti i nisur shumë vite më parë nga Rama po finalizohet duke i dhënë gjithë zonës një mundësi të re zhvillimi.

Ai shtoi se ky bulevard do të shndërrohet në një nga pjesët më të rëndësishme të kryeqytetit, pasi aty do të zhvendosen një pjesë e mirë e institucioneve qeveritare dhe zyrave administrative të qytetit.

“Kemi ecur me shpejtësi të jashtëzakonshme, bashkë me Kryeministrin do të vendosim dy pllakat e para në mënyrë simbolike. Pas pesë vitesh nga zgjedhjet e 2011 ne kemi rifituar kohën e humbur”, u shpreh Veliaj.

Në vijim ai shtoi se thuasje është përfunduar puna për ndërtimin e parkimit dhe se pllakat e reja që vihen sot tregon se kush bën punë dhe kush fle gjumë.

Sipas tij plani i ri urbanistik ka marrë jehonë ndërkombëtare për shkak të zhvillimit që merr kryeqyteti. Ai tha se po ndërtohet Tirana moderne e vitit 2030 dhe se në fund synimi është të fitohet një betejë shumë më e gjatë se mandatet, ajo e zhvillimit.

Zjarr Tv Ad