Bulevardi i Ri, tashmë funksional për automjetet, Veliaj: Unaza po sabotohet

0
151
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Bashkia e Tiranës ka njoftuar se Bulevardi i Ri nga ish-Stacioni i Trenit deri te kryqëzimi me rrugën “Siri Kodra” dhe “Jordan Misja” , tashmë është funksional për të gjitha automjetet.

Deri më tani është përfunduar segmenti i dytë prej 500 metrash i Bulevardit të Ri, si dhe sheshi i tretë në fund të tij duke ofruar një standard modern dhe një mjedis çlodhës për banorët e zonës.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj vlerësoi faktin që tashmë zgjidhet një nyje që shkaktonte trafik.

Veliaj: “Jam shumë i lumtur që kemi hapur sot sheshin e tretë të bulevardit dhe ende pa përfunduar pjesa finale e tij, është funksional për automjetet. Ata që banojnë në njësitë 8 dhe 9, të lidhur përmes rrugëve “Siri Kodra” dhe “Jordan Misja”, kanë një mundësi të shkëlqyer të shkurtojnë kohën e tyre në trafik, duke kaluar nga njëra njësi tek tjetra, duke e parë bulevardin si urë dhe jo si ndarje. Jam shumë i lumtur që zgjidhet një nyje e trafikut që i afrohet asaj që në të ardhmen do jetë Unaza e katërt e Tiranës.

Duke ju referuar investimeve në Bulevardin e Ri, Veliaj gjeti rastin për të komentuar protestat dhe kundërshtimet për projektin e Unazës për të cilin tha se po sabotohet.

Veliaj: “Kur filluam punën për bulevardin kishte vetëm një tabelë që thoshte: Nuk na lënë të punojmë! Ndërkohë, si Saliu, si Luli, bashkë ishin edhe në bashki, edhe në qeveri, dhe kishin kohë të punonin. Sot e kuptojmë që në fakt, ata që nuk të lënë të punosh janë ata vetë dhe fakti që sabotohet Unaza e Madhe, fakti që sabotohen lodrat te Liqeni, fakti që sabotohet Bulevardi i Ri, shkollat, çdo lloj pune publike në Tiranë, do të thotë se paska një pjesë të politikës që nuk ia do të mirën këtij vendi, nuk do që ky vend të bëjë përpara!”

Veliaj bëri me dije se Bulevardi i Ri do të mbyllet me një shesh ceremonial, i ngjashëm me sheshin “Nënë Tereza”.

 

Zjarr Tv Ad