QYTETARËT PËR TË MARRË LEKËT E LINDJES I DUHET TË SOROLLATEN NGA NJË INSTITUCION NË TJETRIN PËR TË MARRË SHËRBIMIN, DHE MË PAS I DUHET TË PAGUAJË POSTËN SHQIPTARE PËR NJË DOKUMENT QË MUND TË DËRGOHET EDHE ONLINE.
Nga 1 maji janë mbyllur pjesa më e madhe e sporteleve të shërbimeve publike dhe është bërë kalimi i tyre online me qëllim përmirësimin e shërbimit të administratës publike ndaj qytetarëve dhe biznesit. Pothuajse çdo shërbim publik do të ofrohet online. Por, faqja e e-Albania, përmes së cilës do të ofrohen këto shërbime nuk është funksionale. U ankuan shumë biznese, që nuk po munden të kryejnë veprime, pasi nuk arrijnë të hapin faqen. Madje dhe gjatë prillit, fermerët patën vështirësi në aplikimin për marrjen e subvencioneve pasi ra serveri i E-albania.
Shqipëria është kthyer vendi i sorollatjeve të pafundme dhe zgjidhja e halleve stërzgjatet çdo ditë e më shumë. Qeveria reklamon çdo ditë shërbimet online si e-albania që thuhet se do përmirësojnë sistemin dhe do zhdukin korrupsionin e burokracitë, e cila sikurse thotë populli është flori edhe pse nuk mund të blihet me flori. Po koha tregoi se ndryshe nga misioni që u predikua në fillimet e hapjes së saj, duket se këto shërbime online janë vetëm për publicitetin e qeverisë pasi në realitet qytetarët iu duhet të sorollaten nga zyra në zyrë për të marrë shërbimin që duan ndërkohē që iu duhet të paguajnë edhe postën.
Një qytetare ka denoncuar në faktin se për të marrë lekët e lindjes i duhet të sorollatet nga një institucion në tjetrin për të marrë shërbimin që i duhet dhe më pas i duhet të paguajë Postën Shqiptare për një dokument që mund të dërgohet edhe online. Sipas saj Posta Shqiptare po kënaqet me lekë pasi çdo dokument duhet të kalojë në dorën e tyre e më pas te institucionet përkatëse. Qytetarja shton më tej se e gjithë kjo është fasadë pasi edhe online dokumenti është origjinal. Shton dhe faktin se sipas saj, aq të nështruar jemi sa presim ato dy lekë për të ushqyer fëmijët.