Bushati mesazh politikës me Ismail Qemalin: Kombi, lëmsh në gjoks!

0
29

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, i ka dërguar një mesazh vetëdijësimi gjithë politikës në Ditën e Adhuruesve të Librit.

Në një mesazh në “Facebook”, ish-kreu i diplomacisë shqiptare sjell në vëmendje fjalët e Isamil Qemalit, i cili thoshte se “kombi është një nyje, një lëmsh që mblidhet në gjoks, që të shtrëngon, gati në dhimbje”.

Sipas tij, fjalët e Ismail Qemalit duhet t’i shërbejnë shoqërisë dhe politikës shqiptare për reflektim dhe përulësi përballë historisë, që i ka rezistuar me dinjitet shtrëngata.

Mes rreshtave, ish-ministri shkruan se “Dija është antipodi më i qëndrueshëm i shoqërisë përballë krimit dhe fenomeneve negative”. Ky mesazh reflektues i Bushatit vjen në një kohë, kur Shqipëria po kalon një krizë të thellë politike disa-mujore.

Mesazhi i Bushatit:
Ismal Qemali në rrugëtimin e tij historik për mëvetësinë e Shqipërisë e shpjegonte në mënyrë elokuente fjalën “komb”, që në shqip do të thotë “nyje”. Një nyjë që të bëhet në fyt. Për shqiptarët e mi – thoshte plaku i urtë – përpara se të jetë një ide, një thelb historik, kombi është një nyje, një lëmsh që mblidhet në gjoks, që të shtrëngon, gati një dhimbje.

Kjo thënie e Ismail Qemalit të kujtohet sidomos kur sheh këtë Pasqyrë të gjendjes kulturore të vitit 1927, dëshmi e sakrificave për edukimin e kombit. Në fakt, forcimi i identitetit kombëtar nëpërmjet arsimit, artit e kulturës kanë qenë në themel të projektit të rilindasve tanë që në fillim të shekullit XIX, për një Shqipëri të përparuar, pavarësisht prapambetjes së saj.

Kjo tablo e vitit 1927 është dëshmia e gjallë sesi qytetet që kanë mbajtur peshën kryesore në historinë e vendit janë po ashtu në krye të përpjekjes për rrugën e dijes. Një varg sakrificash të cilat duhet të na shërbejnë për reflektim dhe përulësi përballë historisë që i ka rezistuar me dinjitet shtrëngatave, herë prej kohës e herë prej njeriut.

Dija është antipodi më i qëndrueshëm i shoqërisë përballë krimit dhe fenomeneve negative. Dija mbetet tipari dallues i shoqërive europiane, ku ne do të shkojmë si komb duke mbajtur me vete amanetin e parardhësve dhe premtimin për pasardhësit. #BookLoversDay U.S. Embassy-Tirana.