Bushati: Periudhë eksperimentesh. Kemi braktisur interesin kombëtar

0
16
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në fjalën e tij në seancë plenare, ish-ministri i jashtëm Ditmir Bushati, u shpreh se po jetojmë në një periudhë eksperimentesh të rrezikshme, ndërsa theksoi se është braktisur edhe interesi kombëtar.

“Po jetojmë në një periudhë eksperimentesh të rrezikshme. Eksperiment ishte djegia e mandateve nga ana e opozitës, eksperiment për mua është mospjesëmarrja në zgjedhjet vendore, eksperiment është largimi nga përgjegjësia për konstituimin e organeve të drejtësisë dhe të organeve kushtetuese, vajtimi për mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë,  eksperiment po bëhet me parimet themelore të së drejtës, me sigurinë juridike, me pritshmëritë legjitime, me proporcionalitetin, me parashikueshmërinë por dhe pasojat e akteve ligjore.

Eksperiment është dhe bojkotimi i komisionit të reformës zgjedhore të mbështetur nga partnerët tanë ndërkombëtare dhe bojkotimi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.

Po eksperimentohet me dhunën duke e relativizuar atë dhe duke e mirëpritur si akt apo instrument politik. Eksperiment është dhe zhdekretimi apo anulimi i zgjedhjeve nga ana e Presidentit të Republikës, në kapërcim të kufijve kushtetues dhe në kundërshtim me ligjin por dhe praktikën kokëfortë të tranzicionit shqiptar sipas të cilës duhet të ketë një dakordësi mes palëve politike për të anuluar, për të shtyrë datën e zgjedhjeve.” -u shpreh Bushati.

Pjesë nga fjala e ish-ministrit Bushati në parlament:

Shkurt hesapi, e gjithë kjo situatë më kujton romanin e Saramangos, “Verbëria”, i cili përshkruante veprimet e gabuara që nxisnin instiktet më të këqija njerëzore, mu siç po ndodh në Shqipërinë e këtyre ditëve. Zhgënjim me demokracinë, të vendosur pas juntës, çka më kujton gjithashtu një këshillë të një miku të huaj të Shqipërisë, i cili shpesh më thoshte që 100 vitet e para të demokracisë janë gjithmonë të vështira dhe janë sfiduese. Ndoshta është taksirat për ne shqiptarët që të përjetojmë të gjitha llojet e eksperimenteve në ndërtimin e një sistemi demokratik. Megjithatë më duhet të them që kjo rrugë synon zhbërjen e gjithë konceptit të organizimit politik e shoqëror dhe marrjen e drejtimit politik me mjete jashtë sistemit. Zhbërja e institucioneve në fakt, nuk është zgjidhje për sa kohë forcat politike janë këtu për të dhënë kontributin, duke u angazhuar në proceset brenda sistemit politik-institucional. Kam qenë deputet i Tiranës në 2011 dhe e di shumë mirë se ç’ndodhi. U vranë katër protestues në bulevard, zgjedhjet e majit të 2011 u grabitën nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim në tavolinë e më pas u justifikuan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por Edi Rama e la bashkinë e Tiranës, ne nuk e lamë Parlamentin, vazhduam procesin e përmirësimit të jetës parlamentare dhe institucionale dhe fituam zgjedhjet në vitin 2013. Për herë të parë, kam votuar në 1996 dhe i mbaj mend shumë mirë zgjedhjet e ’96, por e mbaj mend shumë mirë gjithashtu që në tetor të ’96, Partia Socialiste, megjithëse u gjakos në zgjedhjet e majit, sërish u bë pjesë e procesit zgjedhor.

E pra miq, ne të gjithë e dimë     që sistemet politike-institucionale përmirësohen përmes platformave, përmirësohen përmes pjesëmarrjes, përmirësohen përmes bashkëpunimit dhe nuk përmirësohen përmes kulturës së shumatores zero.

Ne jemi tek verbëria, siç e përshkruan Saramango situatën pas juntës dhe rivendosjes së demokracisë, dhe vërbëria na fton në qorrsokak dhe sot për fat të keq ne diskutojmë për datën e zgjedhjeve në Shqipëri, për 30 qershorin. Ndërkohë që të gjitha energjitë tona duhet të ishin për datën e fillimit të negociatave. Ne sot fillojmë dhe diskutojmë për një histori që nuk ka lidhje me aspiratat e shqiptarëve, që nuk ka lidhje me përparësinë tonë kombëtare dhe në vend që të merremi me vendet anëtare të Bashkimit Europian që janë ende skeptike për progresin tonë, apo të fqinjit tonë, ne harxhojmë energji duke u marrë me njëri-tjetrin. Shkurt, ne e kemi braktisur përparësinë kombëtare dhe për shkak se e kemi braktisur përparësinë kombëtare, ne sot nuk jemi në gjendje ti ofrojmë qytetarëve të zakonshëm të këtij vendi, atë çka ata meritojnë. Në kushtet kur ne jemi përballë kësaj situate unë besoja ashtu siç bnesonte dhe beson  filozofi gjerman Habermass tek logjika e njeriut dhe tek fuqia e rezistencës së demokracisë dhe kështu e lexoj dhe vullnetin tonë për të shkuar drejt 30 qershorit, për ti dhënë të paktën mundësi atyre zgjedhësve, atyre që duan të votojnë që ta thonë fjalën e tyre me votë të lirë.

Zjarr Tv Ad