Buxheti 2018, financat publikojnë të dhënat zyrtare. 100 mln të ardhura më pak

0
23
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se të ardhurat totale në arkën e shtetit për gjithë vitin 2018 rezultuan 449.3 miliardë lekë nga 461.8 miliardë që ishin parashikuar në aktin normativ të qeverisë.

Sipas statistikave të detajuara, gjysma e mosrealizimeve ishte nga të ardhurat jotatimore dhe ndihmat, ndërsa gjysma tjetër ka ardhur si pasojë e ecurisë së dobët në mbledhjen e akcizave dhe tatimit mbi vlerën e shtuar. Të dy këto taksa qenë 7.4 miliardë lekë ose rreth 60 milionë euro më pak se plani vjetor të ndikuara kryesisht nga rënia e euros ndaj lekut, por edhe ulja e papritur në zhdoganimin e cigareve.

Në krahun tjetër të buxhetit, atë të shpenzimeve, mosrealizimet kanë qenë edhe më të mëdha se sa tek të ardhurat. Sipas të dhënave nga financat, shpenzimet faktike të buxhetit ishin gati 147 milionë euro më të ulëta se plani.

Për shkak se mosrealizimi i shpenzimeve ka qenë më i madh se sa ai i të ardhurave, qeveria ka marrë më pak borxh nga kufiri i caktuar me ligj.

Deficiti buxhetor për vitin e kaluar rezultoi 47 milionë euro më pak se plani, duke sinjalizuar se borxhi publik në raport me prodhimin kombëtar është ulur edhe më shumë nga sa pritej.

Por sipas tabelave të financave e gjithë rënia e deficitit ka ardhur në kurriz të investimeve publike, të cilat vitin e kaluar u realizuan 7 për qind më pak se plani. Investimet janë zëri më produktiv i shpenzimeve të buxhetit, pasi nxisin ekonominë dhe krijojnë punësim. Por edhe për këtë vit, realizimi i tyre ka rezultuar problematik, veçanërisht tek projektet me financim të brendshëm.

 

Zjarr Tv Ad