Buxheti 2023, Veliaj: Ja institucionet që pritet të zhvendosen në Bulevardin e Ri

0
102
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka folur për disa projekte transformuese, duke theksuar atë të Bulevardit të Ri, duke zbuluar disa prej ndërtesave më të rëndësishme publike që do të zhvendosen aty.

Për këto projekte Veliaj foli gjatë prezantimit të buxhetit të vitit të ardhshëm me banorët e Njësisë 9, ku ishte së bashku me ministren Ogerta Manastirliu.

“Ne duam që të ndërtojmë një Muze të Artit Modern në Bulevardin i Ri. Qyteti sot ka mbi 1 milion banorë dhe nuk ka qytet të madh në botë pa një Muze të Artit Modern. Po ashtu, duam të ndërtojmë një qendër për konventat dhe konferencat sepse Pallati i Kongreseve nuk i përballon dot aktivitetet e shumta në Tiranë. Në Bulevardin e Ri duam të transferojmë edhe disa nga gjykatat, për shembull Gjykata e Lartë duket sikur është futur me lupë këpucësh te “Myslym Shyri”. Pra, edhe pjesa e institucioneve publike ka interes që të shtrihet në Bulevardin e Ri ose zonat përreth”, u shpreh Veliaj.

Tjetër projekt i rëndësishëm i përmendur nga kreu i Bashkisë është edhe ai i dy terminaleve të pasagjerëve, ai lindor që sipas tij po ndërtohet në Lundër dhe terminali perëndimor te kthesa e Kamzës.

“Përveç vazhdimit të Unazës së Madhe, ne do të hapim dy terminalet: terminali i parë, ai në Lundër është gati, do të çlirojë Qytetin Studenti, kurse stacioni i përkohshëm i autbusëve do të shkojë te stacioni i përhershëm atje. Nuk vjen autobusi në mes të lagjes dhe bën xhiro nëpër lagje. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës. E njëjta gjë do të ndodhë tani që kemi fituar gjyqin edhe te kthesa e Kamzës. Aty do të jetë terminali perëndimor. Pra, autobusët ndalojnë në hyrje të qytetit. Kjo është zgjidhje konkrete për trafikun,” tha ai.

Sa i takon buxhetit social, Veliaj tha se vetëm në Njësinë 9 kanë marrë kredi të buta 306 familje, ndërsa sipas tij 140 të tjera trajtohen me bonus strehimi.

“Ky buxhet do të jetë i fokusuar tek solidariteti, sa të kalojmë këtë situatë të vështirë, që pastaj të jemi në një situatë më të mirë për investimet,” theksoi Veliaj.

Ai përmendi edhe rrugët që sipas tij do të rikonstruktohen në Njësinë 9: “Do të ndërhyjmë fillimisht në 10 rrugë kryesore, siç janë “Papa Nikolla Papajani”, “Androkli Kostallari”, “Maksut Drasa”, “Ali Kukaleshi”, “Hasan Bakiu” etj., ndërkohë javën tjetër shpallim fituesit e çdo gare që ka hapur bashkia, për çdo njësi, lidhur me shtrimin e rrugëve, ndriçimin dhe sinjalistikën. Ajo që ndodhi këtë vit prej rritjes së çmimit në bursë të betonit, të hekurit, shumë investime nuk u realizuan dot, siç do të doja unë, dhe ajo që kemi bërë është, që të mos na digjen këto para, i kemi çuar të gjitha për asfaltim dhe për urbanizim, deri në nivel kapilar, jo vetëm në Njësinë 9, por në të gjitha njësitë e tjera”, u shpreh Veliaj.

Nga ana tjetër, ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se në këtë njësi të gjitha problematikat e adresuara nga qytetarët kanë marrë zgjidhje nga Bashkia e Tiranës.

“Sa shumë komunikime kemi pasur së bashku, për ato punë të mira që janë bërë në bashki. Por, duhet ta theksoj, sa shumë ju ka dëgjuar bashkia. Pra, të gjitha ato probleme apo çështje, të cilat kanë kërkuar zgjidhje, menjëherë janë adresuar dhe zgjidhur. A kanë përfunduar të gjitha hallet dhe shqetësimet? Padyshim që jo. Nuk kanë përfunduar. Kemi investuar për të ardhmen e fëmijëve, që nga çerdhja, kopshti, shkollat dhe gjitha investimet në strukturat e lagjeve tona, në këndet e lojërave, në të gjitha hapësirat e gjelbra”, tha ministrja Manastirliu.

Zjarr Tv Ad