Buxheti i ri, 5.2 miliardë euro/ Qeveria parashikon që të ardhurat do të jenë 4.4 miliardë euro për 2022

0
25
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Qeveria ka prezantuar në Konferencën e Kryetarëve projektbuxhetin për vitin 2022, i cilësuar si buxheti i rimëkëmbjes. Në draftin e depozituar tashmë në Kuvend, ekzekutivi pret që ekonomia vitin e ardhshëm të rritet me 4.1%.

Referuar draftit, qeveria parashikon të arrijë një nivel të ardhurash prej 537 miliardë lekë apo rreth 4.4 miliardë euro, ndërsa shpenzimet buxhetore arrijnë shifrën e 637.6 miliardë lekëve, rreth 5.2 miliardë euro. Ndërsa deficiti buxhetor, pra diferenca mes të ardhurave dhe shpenzimeve që tejkalon 100 miliardë lekë apo rreth 800 milionë euro pritet të mbulohet nga qeveria përmes marrjes së huave. Vitin që vjen Financat zotohen për ulje të borxhit publik në nivelin e 78.9%, pas rritjes së tij në 80% të parashikuar deri në fund të 2021.

Rritja e nivelit të të ardhurave do të mbështetet sipas qeverisë në ecurinë pozitive të aktivitetit ekonomik në vend, miradministrimit fiskal si dhe në uljen e informalitetit në ekonomi. Ndërsa sa i takon krahut të shpenzimeve buxhetore, ato do të mbështesin një sërë investimesh publike me në fokus procesin e rindërtimit dhe projekte të tjera infrastrukturore në ndërtimin e rrugëve, aeroporteve, investime në ujësjellës kanalizime si dhe në sektorë të tjerë.

Ndër të tjera, projektbuxheti 2022 parashikon rritje të pagave për arsimtarët e mjekët, si dhe indeksim të pensioneve e në draft parashikohet po ashtu edhe bonusi i fundvitit për pensionistët në masën 3.5 miliardë lekë.
Ashtu siç edhe pritej tashmë nuk ka një paketë të mirëfilltë fiskale siç zakonisht shoqëron buxhetin, pasi edhe sipas rekomandimeve të FMN-së, qeveria po planifikon një strategji afatmesme të mbledhjes së të ardhurave.

Sa i takon ndarjes së buxhetit sipas ministrive të linjës, ajo e Financave rezulton edhe me buxhetin më të lartë me 65.2 miliardë lekë, ndjekur nga Infrastruktura me 47. 4 miliardë lekë që megjithëse marrin pjesën më të madhe rezultojnë me rënie në raport me një vit më parë, së bashku me fondet për ministrinë e bujqësisë. Ndërsa është rritur buxheti për shëndetësinë dhe arsimin përkatësisht me 6.6 mld lekë dhe 4.6 mld lekë më shumë se buxheti i kaluar, si dhe ai për ministrinë e mbrojtjes në 32.6 miliardë lekë dhe ai për drejtësinë është shtuar me 2.6 miliardë lekë më shumë se në 2021.

 

Zjarr Tv Ad