Buxheti/ Veliaj: Si po transformohet lagjja e re te “5 Maji” dhe Kinostudio. Kush nuk firmos marrëveshjen e rindërtimit, do i ndërpritet bonusi i qerasë

0
9
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Në bashkëbisedimin me banorët e Njësisë 4 për buxhetin 2023, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj renditi të gjitha investimet e kryera për komunitetin e zonës, duke nisur nga rrugët, shkollat, kopshtet, çerdhet, konviktet, fushat sportive dhe ndërhyrjet në rrjetin e kanalizimeve dhe të ujësjellësit.

“Kemi përfunduar dy rrugë të reja në zonën e “5 Majit”, kemi 146 asfaltime, blloqe të rikonstruktuara. Në 80 rrugë kemi vënë ndriçim. Në 30 rrugë kemi vënë sinjalistikë. Kemi mbajtur edhe premtimin që na është kërkuar, për godinën e re të stacionit zjarrfikës. Kemi mbajtur premtimin për shkollën “Ardian Klosi”, një projekt që ishte premtuar prej vitesh dhe nuk mbaronte kurrë. Kemi rikonstruktuar dy shkolla: “Gjon Buzuku” dhe “Luigj Gurakuqi”. Kemi një kopësht dhe një çerdhe të integruar në Kinostudio, numër 34 dhe numër 5. Kemi kopshte të rikonstruktuara: 25-ën, 27-ën, 39-ën, 55-ën dhe 51-shin. Kemi 2 çerdhe të rikonstruktuara, 42-in dhe 19-ën, si dhe konviktet e reja të mjekësisë. Tek sportet: Fusha sportive në Allias, te rruga “Gaqo Tashko”, te “Shyqyri Peza”, pranë Oxhakut dhe te rruga “Belul Hatibi”. Ndërkohë, jemi duke parë edhe për 7-8 terrene të tjera, sepse duam që për vitin kur do të jemi Qyteti Europian i Sportit, të kemi të paktën 100 fusha në të gjithë Tiranën,” tha Veliaj.

Ai tha se në Njësinë 4 është përmirësuar ndjeshëm rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit. “Fillimisht zgjidhëm kanalizimet – nuk na vjen më Lumi i Tiranës në shtëpi dhe ku është një problem i kaluar. Por ama, ne duam edhe të na vijë uji I pijshëm, kjo është arsyeja përse ndihem vërtetë mirë që në 6 zona të Njësisë 4 kemi përfunduar rrjetin e ujësjellësit dhe duam që vitin tjetër të mbarojmë të gjithë investimin, për ta çuar dhe Njësinë 4, në 24 orë me ujë”, shtoi ai.

Veliaj tha se edhe vitin e ardhshëm në buxhet janë planifikuar disa investime të tjera arsimore, si dhe në infrastrukturë rrugore. Kreu i Bashkisë detajoi të gjitha institucionet që do të zhvendosen në lagjen e re “5 Maji. Sipas tij, është buxhetuar rikonstruksioni i çerdhes nr. 6, po ashtu edhe biblioteka numër 10 në rrugën “Aleksandër Moisiu”.

Sa i përket rindërtimit, Veliaj tha se janë dorëzuar tashmë pallatet e para te “5 Maji, ndërsa pritet të hidhet shorti përpara vitit të ri për 3 godina të tjera. Ai tha se të gjithë atyre që nuk e kanë firmosur ende marrëveshjen për apartamentet e reja, do u ndërpritet bonusi i qerasë.

“E di që, një pjesë e madhe e atyre që marrin bonuset e qirasë, nuk kanë ikur ende nga shtëpitë e dëmtuara. Nuk jemi treguar konservatorë për të thënë se po e quajmë si një ndihmë. Megjithatë, nëse dikush mendon se kjo do vazhdojë pafundësisht dhe meqë ka përfituar bonusin e tërmetit, nuk pranon të nënshkruajë kontratën, po ju them se do t’u ndërpritet. Pra, kushti i bonusit është që do të pranosh të shkosh te shtëpitë e reja. Në një moment, nëse dikush merr bonusin e qirasë dhe nuk nënshkruan dakordësinë që do lëvizë në një apartament të ri, atëherë sigurisht që bonusi do ndërpritet,” u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Zjarr Tv Ad