Deklarata e plotë e Silva Cakës
Zgjedhjet e 25 prillit dhe shkatërrimi i tyre nga Edi Rama janë edhe shkaku i vetëm i krizës shumë të rëndë politike dhe ekonomike. Qytetarët shqiptarë tashmë e kanë shumë të qartë se pas çdo veprimi të Edi Ramës, fshihen vetëm aktivitete të paligjshme.
Amnesty International, në raportin e fundit të publikuar së fundmi, e ka dënuar dhe cilësuar publikimin dhe përdorimin e të dhënave personale të mbi 900.000 qytetarëve shqiptarë si shkelje të të drejtave të njeriut. Ky raport fakton se këto të dhëna u përdorën për qëllime elektorale, me objektiv shantazhimin dhe intimidimin e zgjedhësve. Ajo që vlen të theksohet është që raporti i Amnesty International e cilëson veprimtarinë e SPAK për këtë çështje, si kërcënim ndaj lirisë së shprehjes dhe frikësim të gazetarëve, aq sa u desh ndërhyrja dhe vendimi i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, i cili nxorri në pah jo vetëm paaftësinë, por edhe kapjen e këtij institucioni.
Mënyra e vetme për të qeverisur e Edi Ramës është përmes kaosit dhe skandaleve të shumta kriminale, që pasojnë njëri tjetrin e ku njëri skandal është akoma më i madh se tjetri. Çdo herë që Edi Rama lakon fjalën krenari për ndonjë skandal të mundshëm, nuk bën gjë tjetër përveçse përçon mesazhe paprekshmërie tek bashkëpunëtorët e tij e mbi të gjitha tek instancat e hetimit dhe gjyqësorit.
Drejtësia me regji e ka të kotë se kjo çështje nuk do të mbyllet kurrë dhe përgjegjësit nga Edi Rama e me radhë do shkojnë përpara drejtësisë.
Veprimet e intimidimet e Ramës ndaj institucioneve shqiptare të kapura nga paratë e krimit të organizuar, nuk përbëjnë asnjë kërcënim për institucionet ndërkombëtare, të cilat nuk e kompromentojnë seriozitetin e punës së tyre nëpërmjet lobimeve apo ryshfeteve.
Qëndrimi i qartë dhe shumë i fortë i Amnesty International është një apel dhe këmbanë shumë e fortë alarmi për drejtesinë shqiptare që ajo të heqë dorë nga qëndrimet e saj antiligjore pro rilindjes dhe t’i kthehet kushtetutës dhe ligjit.
Qëndrimi i Amnesty International është edhe një motiv më shumë për opozitën në luftën e saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme si dhe për shtetin ligjor dhe sundimin e ligjit në Shqipëri.