Cakaj: BE qasje diskriminuese ndaj Kosovës

0
5

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, kritikon qëndrimin e Bashkimit Europian për mosliberalizmin e vizave për Kosovën. Ministri e ka quajtur të padrejtë këtë refuzim që po u bëhet qytetarëve kosovarë, të cilët sipas tij meritojnë të lëvizin të lirë në hapësirën europiane. Deklaratën Cakaj e bëri gjatë konferencës për shtyp me homologen e Suedisë, Ann Linde.

Gent Cakaj: “Nënvijëzova edhe qasjen e padrejtë të BE-së karshi qytetarëve të Kosovës. Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet teknike dhe meriton të lëvizë lirshëm pa regjim vizash, në hapësirën e Bashkimit Evropian.”

Cakaj shprehu angazhimin për vazhdimin e reformave për procesin e integrimit dhe u shpreh besimplote se Shqipëria do të marrë një përgjigje pozitive vitin e ardhshëm.

Ndërsa ministrja e Punëve të Jashtme Suedeze e vuri theksin tek vijimi i punës me reformën në drejtësi, forcimin e dialogut dhe plotësimin e kushteve të vendosura nga Bundestagu.

Ann Linde“Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë të rëndësishme dhe Shqipëria duhet të vazhdojë me reformën e saj. Të gjithë aktorët duhet të angazhohen në dialogë për çështjet e reformës. Procesi duhet të jetë strikt dhe të përmbushë kushtet përpara anëtarësimit.”

Të pyetur për propozimin francez për reformën e procesit të zgjerimit, dy homologët ndanë të njëjtin mendim se duhet pritur diskutimi i vendeve të BE për këtë çështje.