Nga një vizitë zyrtare në Shkup, Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, ka njoftuar mbajtjen brenda këtij viti të një mbledhjeje ndërqeveritare mes kabineteve të Kryeministrave Rama dhe Zaev. Cakaj është pyetur edhe mbi çështjen e Kosovës, ku tha se Tirana zyrtare do të mbështesë qëndrimin e delegacionit të Prishtinës. Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka zhvilluar një vizitë dy ditore në Maqedoninë e Veriut, ku është takuar me liderët e partive shqiptare dhe me homologun, Nikola Dimitrov. Gjatë konferencës për mediat me këtë të fundit, kryediplomati ka folur për intensifikimin e raporteve biletarale, ndërsa njoftoi se brenda vitit do të ketë edhe një takim ndër-qeveritar mes Tiranës dhe Shkupit.
Cakaj: Kemi diskutuar për domosdoshmërinë e thellimit e marrëdhënieve bilateriale, po ashtu nevojës për të zhvilluar mbledhjen ndërqeveritare këtë vit. Besojmë që perspektiva jonë është e përbashkët kur vjen çështja tek hapja e negociatave për anëtarësimin në BE.
Cakaj u pyet edhe mbi temën e kufijve për Kosovën.
Cakaj: Është një pyetje që duhet t’ia drejtoni institucioneve të Kosovës. Shqipërisë i takon ta mbështetë pozicionin e Kosovës në këtë proces.
Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, shprehu vlerësimin për mbështetjen e Shqipërisë në rrugën integruese të vendit të tij, siç ishte shembulli i NATO-s, ndërsa kërkoi vijimin në këtë drejtim. Ndërkaq, në Shkup vijojnë diskutimet mbi çështjen e kandidatëve për President të ardhshëm të vendit, ku pas një përplasje që pati mes nënkryetarit të LSDM-së, Muhamed Zeqirit dhe kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, ky i fundit do të ketë një takim me Kryeministrin Zaev, për të parë mundësinë e mbështetjes së një kandidati të përbashkët.