Çamët” e Serbisë

1
1835
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nxenes musliman dhe vrakacore ne shkollen e vrakes[Në foto] 

Të thuash “Ballkan” ke thënë udhëkryq, përplasje dhe luftë, bashkëjetesë dhe përshtatje me atë që diku apo disi ndryshon nga ti.

Lidhjet e para të Lindjes së Mesme me Europën Perëndimore dhe Veriore përmes Ballkanit datojnë që 7000 vjet para Krishtit e kështu vazhdojnë dhe më tej, si një pikë takimi mes popujve, kulturave dhe feve të ndryshme.

Një nga shembujt e bashkëjetesës së dy etnive, që është për t’u marrë në konsideratë, do të ishte ajo me minoritetin serbo malazez, i vendosur në fshatin Vrakë, por që shtrihej edhe në disa fshatra të tjerë, si Rash, Kule, Boric i Vjetër, Boric i ri, Gril, Omaraj dhe Kamicë.

Dokumentat ku përmënden mbiemrat e vrakacorëve që jetuan në Vrakë deri në vitin 1991 janë të pakta dhe një prej tyre është edhe marrëveshja për armëpushim midis Vlladit të Malit të Zi, Petër Njegoshi I dhe vezirit të Shkodrës, që daton në vitin 1810. Sipas kësaj marrëveshjeje Veziri i Shkodrës, pranon që në afërsi të Shkodrës të vendosen disa familje malazeze të larguara nga vendi i tyre për probleme ekonomike dhe gjakmarrje.

Kështu, në fshatin Rash u vendosën familjet Vujaciq, Martinoviq, Seniq; në fshatin Gril u vendosën familjet Gjurceviq, Brajoviq, Mikuliq, Bashanoviq si edhe shumë familje të tjera ku fillimisht numëroheshin rreth 30 të tilla, ndërsa deri në 1900-ën ato mund të quheshin edhe fise ku numëroheshin rreth 60 të tilla.

Fshati Rash është gjithashtu vendodhja e një ndër kishave më të vjetra të zonës që njihej si Kisha e Shën Jovanit.

Kisha kalon ne administrimin e te krishtrve dhe i rikthehet kishes ortodokse disa here nder shekuj deri kur ne ditet e sotme ajo ruhet si pjese e trashigimise boterore sigurisht si kishe katolike.

Nëse rikthehemi tek vrakacorët, ata ndër vite janë shquarsi njerëz punëtorë që i rritën pasuritë e tyre në mënyrë të shpejtë dhe ku përvec blegtorisë me gjedhë të imëta si dhe bujqësisë, shquheshin edhe për tregëti me bashkëkombasit e tyre përtej kufijve.

Kishte periudha të caktuara në të cilat në Vrakë numëroheshin dhjetra varka tregëtie të ankoruara në liqen, të ardhura nga Mali i Zi.

Edhe pse të ndodhur mes popujve katolikë, në veri lindje, dhe popujve myslimanë, në jug, vrakacorët patën marrëdhënie të mira me vendasit, e megjithatë ndër vite nuk munguan as konfliktet, kryesisht me katolikët.

Një prej dallimeve mes tyre mund të thuhet se ishte marrja e gjakut, ku vrakacorët, ashtu si e donte rregulli, e merrnin gjakun tek pjesëtarët e familjes, por katolikët gjakmerreshin gjithmonë nëpërmjet personit me më shumë ndikim në komunitet, edhe pse ky i fundit mund të mos kishte asnjë lidhje gjaku me personat e konfliktuar.

Vrakacorëve, edhe pse të huaj, iu ruajt pozicioni i tyre në shoqërinë e vendit tonë për disa arsye. Këtu mund të përmendim lidhjet ekonomiko-shoqërore ku pati rëndësi edhe roli i disa familjeve serbo-malazeze të pasura dhe me ndikim në qytetin e Shkodrës. Por, një arsye tjetër është edhe politika pranuese gjatë sundimit Otoman, kur numri i familjeve të ardhura në Shkodër dhe fshatra përreth nga përtej kufirit, u rrit ndjeshëm. Gjatë kësaj periudhe podgaricanët u konvertuan në mysliman ndërsa vrakacorët, kundrejt taksave si jomysliman, gëzonin të drejta të plota me të tjerët, përfshi shkollimin në gjuhën e tyre, ushtrimin e riteve të tyre fetare në vëndet e kultit, shit-blerjen e pasurive etj.

Por pozitat e vrakacorëve kanë patur ulje-ngritje ndër vite.

Mbreti Zog gjatë sundimit të tij ka mbajtur një qëndrim denigrues ndaj këtij minoriteti,duke nisur me mbylljen e shkollave ne gjuhen serbe,shkolla ku mesoj ne femijeri , dhe dha mesim me vone Millosh Gjergj Nikolla.Ndërsa në 1940-ën Vraka u kthye në një bazë të rëndësishme të Luftës Nacionalclirimtare ku delegatët serbo-malazez të Partisë Komuniste Jugosllave gjetën një vend strehimi.

Disa nga themeluesit dhe pjesëmarrësit në Luftën Nacionalclirimtare që i përkisnin minoritetit serbo-malazez ishin Vasil Shanto (një ndër themeluesit e PKSH dhe që u vra në Vrakë), Vojo Kushi, Branko Kadia (i vrarë në luftën e tre heronjve të Shkodrës së bashku me Jordan Misjan dhe Perlat Rexhepin), Vaso Kadia. Ndërsa nga fshati Vrakë ishin Zako Mikuliq dhe Drago Brajovic (Pjetri) që ishte një ndër 200 komunistët e parë shqiptarë, pjesëtar i Brigadës 27 sulmuese si edhe një ndër korrierët e besuar të Vasil Shantos.

Por pas ardhjes në pushtet të Partisë Komuniste vrakacorët as nuk u njohën e as nuk gëzuan më të drejtat e minoritetit, madje u detyruan edhe të ndryshonin mbiemrat e tyre duke përdorur në vend të tyre emrat e të parëve apo edhe emrat e tokave që dikur kishin patur në zotërim.

Vitet ’90 të cilësuara si vitet e lirisë, ishin të tilla edhe për vrakacorët, momenti i daljes nga burgu kolektiv që sistemi i egër komunist kishte ngritur në Shqipëri.

Këtë bënë, ikën… Por ndryshe nga mijëra shqiptarë që ikën andej nga sytë i’u panë dritë, vrakacorët ikën andej nga i’u diktuan duke u bërë pjesë e një marrëveshjeje të supozuar mes dy shteteve, marrëveshjes së fund mandatit të Ramiz Alisë dhe Sllobodan Millosheviq-it.

Morën me vete gjyshër, nipa, kushërinj, placka e cdo gjë që kishin dhe brenda një jave fshati ku ata e të parët e tyre kishin jetuar mbeti i shkretë.

Në fshat kishin mbetur aq familje sa mund të numëroheshin me gishtat e dorës dhe qent e macet të braktisura para dyerve të shtëpive.

Grupi i parë u nis drejt kufirit më 6 Mars 1991 më këmbë. Grupi i dytë u nis më 10 Mars të po atij viti por i shoqëruar me autobuset e sigurimit të shtetit shqiptar deri në kufi.

Blagoje Zlaticani, dëshmitar i ngjarjes, tregon se buzëqeshjet e mirëseardhjes dhe interesi i mediave u shua shumë shpejt. Për 3500 personat e shpërngulur nisi kalvari i gjatë i vuajtjeve.

Familjet u ndanë për t’u sistemuar në cadra e kampe në qytete të ndryshme të Malit të Zi, nëna e fëmijë së bashku ndërsa meshkujt mbi 17-vjec në kampe të tjera me kushte shumë më të vështira së bashku me rreth 70 mijë refugjatë të tjerë nga Bosnja dhe Kroacia.

Autoritetet serbe kërkonin që me këto familje të popullonin zona pranë Decanit të Kosovës dhe u deshën thuajse 2 vjet që këto familje, kryesisht me këmbënguljen e tyre, të largoheshin sërish nga Kosova drejt Malit të Zi.

Politikat e shtrembëra dhe të fshehta të dy shteteve i bënë vrakacorët mish për top.

Nga njëra anë ambicjet agresive të Millosheviq-it i cili i përdori si popullues me etnitet serb në Kosovë dhe nga ana tjetër pushteti në rënie i Ramiz Alisë që po kryente një spastrim etnik të formave të zbutura duke shfrytëzuar destabilitetin e kohës por dhe mjerimin e kësaj popullate që ishte e gatshme të bënte cdo gjë për një jetë më të mirë.

Duke i parë si të pandryshueshme gjithë këto padrejtësi dhe si një pasardhës i këtij minoriteti dhe një prej familjeve më të pasura të Vrakës në vitet 1900-1945 më lind një pyetje: A do të ketë ndonjëherë një kërkesë ndaj shtetit shqiptar për kthimin e pronave që këta njerëz zotëronin konform te gjithe rregullave te kohes ? Ashtu si komuniteti cam sot kerkon te njejten gje ndaj shtetit grek. Kur do të ndodhë kjo? Si do të ndodhë?

Do të kryhet nga shteti i Malit të Zi, që ende sot i quan këta persona refugjatë? Do të kryhet nga shoqatat e ketij minoritetit, krerët e të cilave ndikuan madje dhe në ikjen e tyre duke iu premtuar më shumë nga sa morën përtej kufirit, dhe me vone shiten dhe blene viza te mundesuar nga Parita per te Drejtat e Njeriut, si nje parti qe ben sikur mbron ne parlamentin shqiptare edhe te drejtat e ketij minoriteti.

Ndersa sot, më keq akoma, drejtuesit e ketyre shoqatave përfliten për trafikimin e vajzave shqiptarë tek individë te familjet në zonat e thella të Serbisë, që në pamundësi për të patur një femër në shtëpi e blejnë në Shqipëri?!

Se kush do të përgjigjet e do të japë një zgjidhje për këtë cështje mbetet për t’u parë, por besojm se një ditë e drejta do të triumfojë, ashtu si rrallë herë ndodh në Shqipërinë paradoksale.

Lisiv Ferezaj

Zjarr Tv Ad