Çdo vit, Komisioni Evropian përsërit rekomandimet e njëjta për Kosovën

0
9
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Ka vite që një numër i konsiderueshëm rekomandimesh, përsëriten në raportet e përvitshme të Komisionit Evropian (KE), për Kosovën.

Ngjashëm me disa prej raporteve të kaluara, edhe këtë vit, Raporti i Vendit për Kosovën, i këtij institucioni të Bashkimit Evropian (BE), ndër të tjera, shpreh shqetësimin për ndikimin e politikës në sistemin e drejtësisë, nivelin e lartë të përhapjes së korrupsionit, ekonominë joformale e ngecjen në reformën zgjedhore.

Në shumicën e këtyre fushave, sipas raportit, është shënuar përparim i vogël. Ndërsa, shumë prej rekomandimeve, për secilin nga institucionet përgjegjëse, mbesin të paadresuara.Përsëritja e rekomandimeve, për shkak të mosadresimit të tyre nga institucionet, sipas shoqërisë civile, është shqetësuese dhe tregon mungesë serioziteti e përkushtimi.

Taulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), tha për Radion Evropa e Lirë, se përfaqësuesit shtetërorë “duhet t’i marrin me shumë seriozitet kërkesat dhe rekomandimet e Bashkimit Evropian”, pasi, sipas tij, “pa adresimin e tyre, nuk mund të ketë lëvizje përpara në proceset integruese”.

“Gjuha (e raportit) vazhdon të mbetet e njëjtë, ku drejtësia vuan nga ndikimi i politikës. Ne kemi pa në rezolutën e nëntorit të Parlamentit Evropian, që Kosova është një shtet i kapur, ku korrupsioni është i përhapur në të gjitha institucionet. Prapë gjuha sa i përket korrupsionit, është e njëjtë në Raportin e Vendit, prandaj asgjë të mos i befasojë udhëheqësit institucionalë. Mirëpo, duhet ta kuptojnë një gjë, pa adresimin e këtyre kërkesave që ka Bashkimi Evropian, ne nuk mund të ecim përpara, as në procesin teknik të vizave, mirëpo as në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, e kjo i bie aplikimi për statusin e vendit kandidat”, thotë ai.

Ndërsa, Arbëresha Loxha, drejtoreshë ekzekutive në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, tha se mosadresimi i kërkesave dhe rekomandimeve në Raportin e Vendit, për vite me radhë, po e largon Kosovën nga synimi për integrim në Bashkimin Evropian.

“Raporti i fundit nuk dallon shumë prej atyre paraprakë. Nuk na ka sjellë asnjë befasi. Në shumicën e sektorëve raporti vëren që progresi i Kosovës është i papërfillshëm, dhe mesazhet dhe kërkesat e BE-së ndaj Kosovës mbesin të njëjta me vitet e kaluara”.

“Pra, të gjitha kërkesat dhe mesazhet e BE-së po na përsëriten, dhe rekomandimet, pothuajse, vazhdojnë të mbesin të njëjta. Kjo përveçse reflekton paaftësinë e institucioneve të Kosovës, që me përgjegjshmëri t’i adresojnë çështjet e viteve të kaluara, është njëkohësisht sinjal që Kosova është duke u larguar nga objektivi i saj themelor, anëtarësimi në Bashkimin Evropian”, thekson Loxha.

Ndërkohë, Kryeziu, theks të veçantë vë në kërkesat dhe rekomandimet që lidhen me sistemin e drejtësisë, sundimin e ligjit dhe depolitizimin e bordeve, ndërmarrjeve dhe agjencive të pavarura.

“Ndikimi politik në të gjitha institucionet e pavarura, bordet, në agjencitë, zbatimit të ligjit, është evidentuar edhe në këtë Raport të Vendit. Prandaj, të gjitha këto janë sfida, të cilat në vazhdimësi janë duke e përcjellë vendin tonë. Por, kryefjala e procesit të integrimit evropian, duhet ta kuptojnë udhëheqësit institucionalë të Republikës së Kosovës, është sundimi i ligjit”.

“Pa një drejtësi të pavarur nga politika, me njerëz me integritet që janë të aftë për të hetuar dhe gjykuar profilet e larta, nuk mund t’i ofrohet perspektivë evropiane qytetarëve të vendit”, theksoi Kryeziu, drejtor i programeve dhe kërkimeve në EPIK.

Sipas Kryeziut, derisa sistemi i drejtësisë “vazhdon të vuajë nga ndikimi i politikës”, Kosova nuk është duke përmbushur as obligimet e saj kontraktuale me BE-në. Ai thotë se Kosova ka mbetur prapa në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) dhe se ka përmbushur vetëm pesë (5) nga njëzetedy (22) prioritetet e Agjendës Evropiane.

Ditë më parë, ministrja për Integrim Evropian, Dhurata Hoxha, në një takim të Këshillit Ndërministror për Integrim Evropian, tha se Kosova “duhet t’i adresojë këto sfida, në mënyrë që vlerësime të tilla të mos përsëriten më”.

“Është e papranueshme, gjithashtu, sa i përket Raportit të Vendit, që një numër i konsiderueshëm i rekomandimeve na përsëriten ndër vite. Dhe, kemi ende shumë punë për të bërë te zbatimi i legjislacionit, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër ekonomisë joformale, reforma zgjedhore, këto janë të gjitha të gjetura, të cilat i kemi evidentuar edhe ne vetë”.

“Ne duhet të jemi titullarë në adresimin e këtyre sfidave, dhe, që vlerësime të tilla të ngjashme të mos përsëriten. Nuk kemi kohë dhe hapësirë për tolerime të tilla, sidomos kur është në pyetje mirëqenia e qytetarëve tanë”, tha ministrja Hoxha.

Hoxha, po ashtu, tha se “të gjeturat shqetësuese kërkojnë seriozitet më të lartë dhe veprim të menjëhershëm” nga të gjitha institucionet e vendore, ndërsa shtoi se ngecjet e evidentuara në Raportin e Vendit, duhet të jenë “alarmi i fundit, për të dëshmuar që Kosova është e përkushtuar në synimet e saj strategjike, për integrim në BE”.

Komisioni Evropian ka publikuar paketën vjetore të zgjerimit, e cila përcakton përparimin që kanë bërë vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Pakoja e zgjerimit paraqet dokumentin më të rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë, ku objektivisht përcaktohet gjendja faktike në çdo vend dhe vlerësohet përparimi, por edhe mangësitë në përmbushjen e kritereve në procesin e integrimit.

 

Zjarr Tv Ad